Presidenti i mundjes ruse fyen kampionin shqiptar, reagon Fidel Ylli: Nuk shpjegohet si gjest, e ka nga rakija

Mundësi i Shqipërisë, Chermen Valiev është shpallur kampion i Europës, në peshën deri në 74kg, por dorëzimi i medaljes ndaj tij u shndërua në një skandal. Gjatë dorëzimit të medaljes zv/presidenti i Federatës Botërore dhe kreu i asaj ruse, Mikhail Mamiashvili ushtroi forcë dhe sipas KOKSH-it e ka quajtur Chermen Valievin edhe tradhtar.

Në lidhje me këtë ngjarje në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Fidel Ylli, President i KOKSH-it është shprehur se ky reagim i tij është si pasojë e konsumimit të alkoolit pasi sipas tij nuk mund të ketë shpjegim tjetër. Ylli ndër të tjera thekson se gjesti është shumë i shmëtuar, dhe KOKSH ka dalë në një deklaratë edhe ministrisë së Jashtme për të njoftuar gjithë trupin diplomatic si dhe gjithë institucioneve ndërkombëtare europiane dhe botërore që ndaj tij të merren masa.

Pjesë nga intervista në studio:

Blendi Fevziu: Çfarë ndodhi me Valievin?

Fidel Ylli: Nuk është se ndodhi gjë. Valievi nderoi flamurin tonë, Shqipërinë, veten e vet. Ka bërë një ndeshje spektakolare më një nga mundësat më të mirë të Republikës Ruse në finale, por ky person që është presidenti i Federatës Ruse të Mundjes, njëkohësisht zv/presidenti i Federatës Botërore ky është një nga mundësit më të mirë të Rusisë. Është tre herë kampion bote dhe tre herë Europe, por ky nuk e ka rastin e parë. Ky është akuzuar edhe në vitin 2004 se i ka bërë presion një gjyqtari që mundësi rus në lojërat Olimpike të Athinës duhet të fitonte ndeshjen.

Blendi Fevziu: Zoti Ylli, i erdhi më shumë reagimi ngaqë Valiev ka mundur mundësin rus që ishte pjesë e Federatës së tij, apo e ka me faktin që Valiev përfaqëson Shqipërinë dhe jo Rusinë?

Fidel Ylli: E para e punës që Presidenti i Federatës Rusë nuk është rus, por është nga Gjeorgjia . Ai ka përfaqësuar Bashkimin Sovjetik dhe jo Rusinë dhe po të jetë puna për tradhëtar është ky që nuk pranoi të shkonte në Gjeorgji, por nejti në Rusi. Por ai nuk e ka nga kjo. Ai e ka nga tekja e rakisë se pi pak alkool se ai gjest nuk shpjegohet ndryshe.

Blendi Fevziu: Më fal , por është zv/presidenti i Federatës Botërore të Mundjes nuk flasim për një pijanec rruge.

Fidel Ylli: Gjesti është shumë i shmëtuar, është i dënuar. Ne kemi dalë në një deklaratë ja kemi çuar edhe ministrisë së Jashtme për të njoftuar gjithë trupin diplomatik. Gjithë institucioneve ndërkombëtare europiane dhe botërore që ndaj tij të merren masa.


Shtuar 10.04.2025 23:34