Zbardhen detaje nga aksioni i SPAK lidhur me motrat Xhovana e Alda Nikolli, paraditen e 28 marsit në Elbasan. Burime nga policia bënë me dije se, Gjykata e Posaçme kishte urdhëruar kontroll në banesën e dy tyre, si dhe në shtëpinë e prindërve të tyre po në qytetin e Elbasanit, si dhe sekuestrim te celularëve.
Kontrollet u kryen për shkak se nga shpërthimi i një sasie tritoli në derën e apartamentit ku jetonin motrat Nikolli, 9 muaj më parë humbi jetën fqinji i tyre Enea Thomaraj, një person pa asnjë rekord penal.
News24 ka mësuar detaje te aksionit, që nisi që në në orët e para të mëngjesit, kur skuadra e posaçme operacionale nisi vëzhgimin e dy motrave dhe të babait të tyre.
Në momentin, që ata u ngjitën në një automjet BMV x1 që drejtohej nga babai i tyre, mësohet se forcat e policisë i prenë rrugën dhe informuan se ndaj tyre kishte një urdhër gjykate për kontrollin e banesave.
Burimet thanë se Xhovana dhe Alda Nikollit, si dhe babait të tyre iu sekuestrua celulari. Më pas, ata u shoqëruan në banesat përkatëse ku edhe u ushtrua kontrolli.
Të njëjtat burime konfirmuan se motrat Nikolli, gjatë kontrollit hodhën akuza ndaj të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, duke e akuzuar si porositës të ngjarjes.
SPAK ka dyshime të forta se Xhovana Nikolli, e fejuara e të penduarit të drejtësisë, Amarildo Nikolli dhe motra e saj Alda që ishte në një lidhje me Nuredin Dumani, kanë dijeni se kush është personi që ka vendosur tritolin në derën e apartamentit të tyre, e po ashtu për emrin e urdhëruesit.
Shpërthimi në katin e 4-ët të pallatit në lagjen ‘Haxhias’ të Elbasanit ku banonin motrat Nikolli ndodhi më 14 korrik 2024.
Nga shpërthimi dera e familjes Thomaraj u shemb, duke lënë në plagosur djalin e madh Enean, i cili ndërroi jetë pas 4 muajsh në spitalin e Traumës.