Kenia njofton zyrtarisht se ka njohur Kosovën shtet

Ministria e Punëve të Jashtme e Kenias ka njoftuar zyrtarisht se sot ky shtet e ka njohur Kosovën.

Në njoftim thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, mori miratimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në vitin 2010.

“Kenia e ka njohur Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe në avancimin e forcimit të marrëdhënieve me vendet e Ballkanit”, ka njoftuar Ministria e Jashme e Kenias përmes një postimi në platformën “X”.

Tutje në njoftim thuhet se Presidenti i Kenias William Ruto, ka pritur sot më pallatin shtetëror në Nairobi, Behgjet Pacolli, i dërguar special të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Njohja nga Kenia është e para për Kosovën në katër vjetët e fundit.

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte i pari që njoftoi për njohjen e vendit nga Kenia, para se presidentja e tanishme, Vjosa Osmani, të konfirmonte zyrtarisht se ka pranuar njohjen nga homologu i saj kenian, William Ruto.

“Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë”, shkroi Osmani në Facebook.

Të mërkurën në mbrëmje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i falënderon Osmanin dhe Pacollin për rolin e tyre, “krahas edhe të gjithë atyre që kontribuuan në këtë arritje”.

Pacolli, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, shkroi në Facebook se njohja u bë “në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme” më 26 mars.


Shtuar 26.03.2025 16:00