Tragjedia në Maqedoninë e Veriut/ Shpëtoi 21 persona në diskotekë, i riu del nga spitali dhe pritet si hero në shkollë (VIDEO)

Mëngjesin e sotëm, 19-vjeçari nga Vinica, Jovan Kostadinov, i cili në zjarrin që kaploi diskotekën në Koçan shpëtoi 21 persona, është pritur nga shokët dhe shoqet e gjimnazit të Vinicës me duartrokitje dhe me pankarta mirënjohjeje për sakrificën dhe guximin e tij.

Ai ishte i shtruar në Klinikën e Toksikologjisë, për shkak të thithjes së tepërt të monoksidit të karbonit dhe për një javë ka marrë ndihmë mjekësore.

Fatmirësisht, ka dalë nga spitali në gjendje më të mirë shëndetësore.

Zjarri që shpërtheu në klubin e natës “Pulse”, në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mëngjesin e 16 marsit, i mori jetën 59 persona dhe la të lënduar mbi 150 të tjerë.

Zjarri shpërtheu gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës, duke u përhapur me shpejtësi pas ndezjes së mjeteve piroteknike. Autoritetet kanë nisur një hetim të gjerë lidhur me ngjarjen e rëndë.