Përgjatë kësaj jave 9 persona, ndër ta një i mitur 4-vjeçar dhe 5 të rinj humbën jetën në aksidente rrugore, duke përgjakur disa akse kombëtare në vend.
Mëngjesin e 21 marsit, një 20-vjeçar në Kukës dyshohet se humbi kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe për pasojë përplasi një 51-vjeçar që lëvizte me motor. Nga përplasja e fortë 51-vjeçari humbi jetën në spital.
Më 20 mars, dy vëllezër nga Borizana e Krujës, kushëriri i tyre dhe një shok humbën jetën në një aksident tragjik ne Fushë-Prezë.
Aksidenti ndodhi në segmentin kombëtar Vorë-Fushë Krujë, ku makina me të cilën udhëtonin 4 të rinjtë u përplas me një betoniere që kishte ndaluar në rrugë pa asnjë sinjal.
Si pasojë e përplasjes së fortë, ndikuar edhe nga impianti i gazit i instaluar në mjetin e të rinjve, makina e tyre shpërtheu në flakë dhe asnjëri prej tyre nuk arriti të dalë prej saj. Policia arrestoi drejtuesin e betonieres, 24-vjeçarin Aleksandër Krrashi, i cili nuk kishte patentë për mjete te renda, si dhe dy persona të tjerë që e ndihmuan të largohej nga vendi i ngjarjes.
Në të njëjtën ditë, dy aksidente të tjera u shënuan në Bulqizë dhe në Burrel.
Në aksin Burrel-Klos, një furgon pasagjerësh përplasi një fëmijë 4 vjeç që po kalonte rrugën, për të shkuar në banesën e tij.
Për shkak të gjendjes së rëndë 4-vjeçari u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë.
Një tjetër aksident me pasojë humbjen e jetës së një personi u shënua në Bulqizë, ku 64-vjecari Sali Hoxha humbi drejtimin e mjetit, duke dalë jashtë rrugës dhe për pasojë përplasi për vdekje këmbësoren Hysnie Murra.
Më 18 mars, një 25-vjeçar që po qarkullonte me motor në aksin rrugor Shkodër-Velipojë u përplas nga një automjet, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Aksidenti ndodhi në fshatin Bërdicë, teksa automjeti i drejtuar nga një 61-vjeçar ishte duke dalë nga një gomisteri drejt rrugës, ku dhe u përplas me motorin që drejtohej nga 25-vjeçari Xhevahir Maksuti.
Si pasojë e përplasjes së fortë i riu ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa shoferi 61-vjeçar mbeti i plagosur. Një ditë pas ngjarjes fatale, banorët e fshatit Bërdicë organizuan një protestë në vendin ku ndodhi aksidenti, duke kërkuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Shkodër vendosjen e kufizuesve të shpejtësisë në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, pasi automjetet qarkullojnë me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar jetën e tyre.
Banorët e Bërdicës thanë se kërkesa e tyre është parashtruar edhe më parë në Bashkinë Shkodër, por nuk u mor asnjë masë nga ky institucion.
Pasditen e 16 marsit, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, një automjet i drejtuar nga një 29-vjeçar përplasi për vdekje një këmbësor, i cili ndërroi jetë në vendngjarje.
Pasi përplasi këmbësorin 55-vjeçar, shoferi u largua nga vendngjarja, ndërsa u ndalua nga policia një ditë më pas. Mbeten ende të paqarta rrethanat e këtij aksidenti.
Po përgjatë kësaj jave, janë shënuar edhe aksidente të tjera, në Laç, Patok, Velipojë dhe Korçë, ku kanë mbetur të plagosur disa persona, përfshi drejtues mjetesh, çiklistë dhe këmbësorë.
Si shkaqe për këto aksidente, janë renditur shpejtësia tej normave të lejuara, daljet e befta në rrugë, parakalimet e gabuara, duke mënjanuar kështu mungesën e sinjalistikës rrugore, që në të pjesën më të madhe të këtyre rrugëve është e pjesshme. Pavarësisht bilancit tragjik, në këto rrugë nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete.