Data 13 u paralajmërua për mbylljen e platformës, vijon aksesi i përdoruesve në Shqipëri në TikTok

Platforma TikTok do të duhej të niste mbylljen e saj ditën e sotme për 1.5 milion llogari të përdoruesve në territorin shqiptar. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike kishte kërkuar nga kompanitë e internetit marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TikTok dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar brenda datës 13 mars 2025. Ndërkohë, tashmë në orët e mbrëmjes së kësaj date mund të thuhet me siguri se kjo kërkesë nuk është zbatuar.

Përdoruesit e platformës në Shqipëri vijojnë aksesin në të. Ajo që është vërejtur gjatë vëzhgimit të funksionimit të platformës ditën e sotme është se ndonjëherë përdoruesit kanë hasur probleme dhe vonesa në prodhimin e kontentit apo aksesin në llogari. Mbetet për t’u parë se si do të procedohet në orët në vazhdim dhe a do të realizohet kërkesa për mbylljen totale të platformës.

Kërkesa e Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike, i drejtohej kompanive të internetit, në mënyrë që këto të fundit të bllokonin IP e TikTok në Shqipëri.

URDHRI I AKSK:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.

Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.

Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së. Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars.


Shtuar 13.03.2025 19:57