Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përsëriti kërkesën e Partisë Demokratike, për të lejuar të votojnë më 11 maj, të gjithë shtetasit shqiptarë që janë jashtë vendit dhe disponojnë një mjet identifikimi, qoftë ai i vendit ku jetojnë.
Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Tabaku tha se, “vota e diasporës është e rëndësishme, por qeveria i trajton qytetarët shqiptarë të dorës së parë dhe të dytë që disa votojnë dhe disa të tjerë jo, duke i lënë jashtë votimit”.
“Sot një pjesë e madhe e emigrantëve kanë dëshirën të marrin pjesë në votime por kanë problemin e madh që janë pa dokumente. Janë shqiptarë që jetojnë atje dhe u takon të votojnë”, u shpreh Tabaku.
Gjithashtu, ajo vuri në dukje, sipas saj, dy standardet që ka qeveria me 150 mijë shqiptarët të cilët po i përjashton nga procesi i votimit.
“Janë 237 mijë regjistrime nga të cilat 191 mijë miratime dhe janë refuzuar 97 mijë persona nga të cilët 40 mijë janë unikë.
Ky është dy standardi i qeverisë dhe kjo tregon se ju keni frikë nga vota e diasporës”, u shpreh ajo.
“Askush nuk ka ikur jashtë nga dëshira. Ata që kanë ikur me varka nuk kanë pasur mundësi të kenë dokumente shqiptare dhe mund të kenë hequr dorë nga dokumenti shqiptar se duhet të kalojnë një proces emigracioni atje.
Qeveria gjermane kishte një procedurë që nuk lejohej dyshtetësia vite më parë dhe emigrantët kanë hequr dorë për të marrë pasaportën gjermane në Gjermani, teksa janë 500 mijë shqiptarë që janë larguar në Gjermani në vitet e fundit.
Ky është realiteti i shqiptarëve”, u shpreh Tabaku.
Ajo evidentoi se diaspora shqiptare, është investitori më i madh i huaj në Shqipëri dhe roli i saj, është kontribut për vendin dhe apeloi që vota e tyre është e rëndësishme.