Vuçiç: Gjithçka mund të ndryshojë, por përgjigja ime për njohjen e Kosovës nuk ka ndryshuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se përgjigjja e tij për çështjen e njohjes së Kosovës nuk do të ndryshojë asnjëherë. Këto deklarata Vuçiq i bëri pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha për gazetën e njohur franceze “Le Monde” se lideri i serbëve duhet ta pranojë realitetin.

“Gjithçka mund të ndryshojë, por përgjigja ime për njohjen e Kosovës nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, tha sot Vuçiq.

I pyetur për të komentuar në lidhje me pyetjen e presidentit francez Emmanuel Macron për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në lidhje me atë që Kosova mund t’i ofrojë Serbisë për njohjen përfundimtare, si dhe deklaratën e kryeministrit Kurti se njohja e Kosovës nga Serbia duhet të lidhet me anëtarësimin e Kosovës në OKB, Vuçiq tha se aty nuk ka lajm, pasi shtoi se e ka dëgjuar “një milion herë” atë që e tha Kurti.

“Nëse ai mendon se është e mundur të poshtërohet Serbia dhe hiper-prodhimet e përditshme të deklaratave në të cilat ata do ta nënçmojnë vendin tonë dhe do të flasin për detyrimet tona, për të shpjeguar se ata janë një demokraci e madhe, dhe ne, një vend i pakuptimtë dhe i paaftë, thjesht thuaj gjithçka, është në rregul”, tha Vuçiq.

Ai tha se Kurtit ia ka dhënë përgjigjen për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe se në këtë çështje nuk ka ndryshuar asgjë.

“Koha mund të ndryshojë, forca e ushtrisë ose rritja ekonomike mund të ndryshojë, por përgjigjja nuk ka ndryshuar dhe nuk po ndryshon”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të mërkurë e zhvilloi vizitën e tij të parë në Francë të mërkurën. Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën “Le Monde” në Paris, ku ka thënë se është vetëm një çështje diskutimi mes tij dhe Vuçiqit, ajo e njohjes reciproke. Për gazetën franceze, e cila e quan Kurtin ish-aktivist të UÇK-së, kryeministri i Kosovës ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe të demokratizohet.


Shtuar 27.06.2021 17:02