Këtë të premte, Policia e Tiranës, ka goditur një grup kriminal që merrej me shitjen e armëve të zjarrit. Në pranga kanë përfunduar shtetasit Fatjon Kodra dhe Elton Kaci, ndërsa janë shpallur në kërkim Florjan Aliu dhe Enea Zira.
Gjatë aksionit, u parandaluar një rast i shitjes së armëve dhe u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, 2 armë pistoleta dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se ishin destinuar për t’u shitur në Tiranë dhe Krujë.
Grupi kriminal dyshohet se ka operuar në Tiranë, Fushë-Krujë dhe Thumanë, duke shpërndarë armë zjarri.
“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera me metoda proaktive, në kuadër të një procedimi penal të nisur për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Heliks”, si rezultat i të cilit u ndaluan shtetasit:
F. K., 18-vjeç dhe E. K., 49-vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit F. A., 28- vjeç dhe E. Z., 28-vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, shitnin armë zjarri në Tiranë, në Fushë Krujë dhe në Thumanë.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast.”- njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.