Zbardhen detaje të tjera/ Dalin mesazhet e Ajolës për vilën në Qerret: Erioni ka harruar çelësat…

Kryebashkiaku Erion Veliaj, po justifikohet dhe kërkon t’i faturojë vjehrrit të tij të ndjerë, Arben Xoxa, vilën në Qerret.

Sot CNA do të sjellë një tjetër fakt, i cili vërteton që vila në Qerret, i përket çiftit Veliaj-Xoxa, sipas të dhënave të gjykatës.

Kjo tregohet përmes disa komunikimeve të zbardhura nga SPAK-u, mes Ajola Xoxës dhe Driant Zenelit.

Ky konkluzion arrihet nisur edhe nga komunikimet e shtetasit Driant Zeneli me Ajola Xoxën, nga ku evidentohet qartë frekuenca e shpeshtë e kësaj të fundit, por edhe bashkëshortit të saj në këtë pronë.

Konkretisht, më datë 01.08.2021, ora 7:52 p.m., shtetasi Driant Zeneli i shkruan Ajola Xoxës:

Driant Zeneli-A të ka marrë malli për Qerretin? -Ne erdhem sot.

Ajola Xoxa i përgjigjet: Ajo aty në fund është shtëpia jonë.

Ndërkohë dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer një foto nga ku rezulton se Ajola Xoxa i referohet banesës së saj duke thënë “ajo aty në fund është shtëpia jonë”.

Sipas SPAK-ut, nga fotoja, në pjesën ballore të saj në fund, duket qartë që bëhet fjalë për vilën objekt hetimi e cila ndodhet në Qeret dhe që Erion Veliaj pretendon se nuk është e tyre, por e vjehrrit të tij.

Më tej, rezulton një fakt me mjaft interes për hetimin dhe për provueshmërinë e pronësisë faktike të vilës nga bashkëshortët Veliaj-Xoxa.

Konkretisht, më datë 22.06.2024, ora 12:51 p.m., Driant Zeneli i shkruan Ajola Xoxës: -Të hënën herët në mëngjes nisemi.

Ajola Xoxa përgjigjet: E lëmë kur të vish më mirë takohemi. Se më duhet të mbyll disa punë tani dhe ndërkohë Eri ka shkuar në Qerret dhe s’ka marre celesin.

 

Pra, nga përmbajtja e këtij komunikimi çelësat e vilës 4 disponohen nga çifti Veliaj – Xoxa.

Deklarimet e shtetases Ajola Xoxa në lidhje me vilën e ndodhur në Qeret, Kavajë, sipas organit procedues bien në kundërshtim të plotë me rrethanat e faktit, si edhe deklarimet e shtetasve të tjerë, të cilët kanë dijeni për këtë vilë.

Ajola Xoxa, bën deklarime të pambështetura në provat e tjera kur shprehet se me shpenzimet e mirëmbajtjes së vilës merret vetëm nëna e saj, kur në fakt, nga kontrolli i ushtruar më vendim të Gjykatës së Posaçme, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, blloqe me shënime që dyshohet të jenë të shtetases Ajola Xoxa, në lidhje me elementë të veçantë të vilës.

Gjithashtu, në këtë banesë janë gjetur shënime që dyshohet të jenë të shtetases Valbona Xoxa, e cila shkruan se sipas porosisë së Ajolës ka bërë një sërë pagesash që lidhen me mirëmbajtjen e viles.

Po ashtu, në vilë janë gjetur tabela pagesash si p.sh. ato që lidhen me mirëmbajtjen e pishinës, në krye të të cilave është vendosur emri “Ajola”.

Pa përmendur këtu dhomën që pranohet nga vetë deklaruesja që është e djalit të saj, si edhe garderobën e këtij të fundit së bashku me lojërat.

Në vilë, gjithashtu, janë gjetur veshje të cilat duket se më shumë se me shtetasen Valbona Xoxa, kanë lidhje me vajzën e kësaj të fundit. Këtu duhet theksuar edhe sa ka rezultuar nga deklarimet e administratorit të kompleksit, i cili ka shpjeguar se ka parë vazhdimisht të frekuentojë vilën, shtetasen Ajola Xoxa.

Nga ana tjetër, këto deklarime duken të pabesueshme kur konstatohet se edhe në këtë rast ashtu si edhe në rastet e tjera, kontrata e shkëmbimit e pretenduar nga Ajola Xoxa, mes prindërve të saj dhe AGIKONS sh.p.k., e vitit 2017, është jo e përpiluar para noterit, edhe pse ka pasur objekt shkëmbimin e pasurive.

Po ashtu, në vendimin e zbardhur nga gjykata theksohet këtu se një kontratë shkëmbimi pasurish të paluajtshme krijon efekte të njëjta me një kontratë shitblerjeje apo dhurimi, për sa i përket kalimit të pronësisë, pra, si e tillë ajo regjistrohet në ASHK, por vetëm nëse përpilohet dhe nënshkruhet para një noteri. Këto deklarime të kësaj shtetaseje bien në kundërshtim edhe me sa është deklaruar nga shtetasi Olsi Efthimi.

Ky i fundit referon fakte të vërteta kur pranon se për herë të parë në vilën e ndodhur në Qeret (kompleksi “Marca Resort”) ka shkuar në vitin 2020 dhe se personi që i ka kërkuar të shkojë atje është shtetasja Ajola.

Komunikimet e zbardhura nga SPAK-u, tregojnë qartazi se vila i përket çifti Veliaj-Xoxa dhe jo siç pretendon kryebashkiaku i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, Erion Veliaj./Oranews


Shtuar 18.02.2025 11:10