Bllokadat kundër Vuçiç vijojnë pa ndalim, studentët serbë do të bllokojnë një prej qyteteve kryesore për 15 orë

Bllokadat dhe protestat e studentëve në Serbi, të cilat shpërthyen pas tragjedisë në Novi Sad më 1 nëntor 2024, do të vazhdojnë sot me mitingun kryesor në qendër të Kragujevcit.

Protestuesit planifikuan të bllokonin një nga bulevardet kryesore të qytetit për 15 orë e 15 minuta, në një nderim simbolik për viktimat.

Studentët, të ardhur nga qytete të ndryshme të Serbisë, mbërritën natën e kaluar në Kragujevc, ku u pritën nga një numër i madh qytetarësh.

Sipas planit të publikuar nga studentët e Universitetit të Kragujevcit, të cilët i janë bashkuar protestave, mitingu do të mbahet në Bulevardin Lepeniçki. Rregullat e protestës, të shpallura nga studentët në Instagram, theksojnë se askush nuk do të lejohet të shkaktojë incidente. Përdorimi i mjeteve piroteknike dhe ndezja e zjarreve do të jenë të ndaluara, ndërsa do të lejohet kalimi vetëm i shërbimeve emergjente.

Tragjedia e shembjes së çatisë së hekurudhës në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona dhe disa të plagosur, ka shtyrë studentët serbë të nisin protestat, të cilat janë përhapur në të gjithë Serbinë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon përgjegjësi dhe drejtësi.


Shtuar 15.02.2025 11:30