FOTO-LAJMI/ I thirrur disa herë në SPAK, Benet Beci shfaqet në lokal me prokurorin Arben Kraja

Një ditë pasi anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Bardh Spahia, i kërkoi Prokurorisë së Posaçme që të mos zvarrisë më shumë hetimin ndaj kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ky i fundit shfaqet në shoqërinë e ish-kreut të SPAK-ut, tashmë prokuror në këtë strukturë, në një lokal privat.

Detaje nga biseda e tyre deri në këto momente nuk ka, por ajo që dihet është se kryebashkiaku Beci është thirrur disa herë në SPAK, lidhur me hetime që ky institucion po zhvillon ndaj tij.
Benet Beci është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dyshime mbi shkelje të kryera gjatë detyrave të tij të mëparshme, veçanërisht gjatë kohës kur ai shërbente si drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Sipas burimeve nga SPAK, hetimet lidhen me procedura tenderimi ku dyshohet se janë kryer shkelje që kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit. Në nëntor të vitit 2024, Beci u paraqit në zyrat e SPAK-ut për të dhënë shpjegime në lidhje me këto akuza. Pas daljes nga prokuroria, ai nuk pranoi të komentonte për mediat.

Kujtojmë se ish-numri dy i Qeverisë, Arben Ahmetaj ka deklaruar se një urdhër-arresti për Benet Becin është grisur nga SPAK.
Ndërkaq ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia në një reagim në rrjetet sociale ditën e djeshme, theksoi se Benet Beci e ka vendin tek qelia ku është mbyllur së fundmi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

“Tani është koha që kryehajdutit të Tiranës Erion Veliaj, t’i bashkohet edhe kryehajduti i Shkodrës, Benet Beci”- u shpreh Spahia në një postim në rrjetet e tij sociale.

Spahia tha se jeta luksoze e pajustifikuar e Benet Becit është tregues i dukshëm për SPAK-un”.


Shtuar 14.02.2025 12:36