E trishtë/ Ndahet nga jeta diplomati i njohur shqiptar

Në orët e para të mëngjesit sotëm, u nda nga jeta diplomati shqiptar Shaban Murati, në moshën 79-vjeçare.

I lindur më 2 shtator 1945, Murati ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit.

Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Shaban Murati, shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë.

Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.

Përveç angazhimeve diplomatike, Murati ishte një autor i njohur, duke publikuar një sërë librash dhe analizash mbi çështjet e Ballkanit, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ndër veprat e tij më të spikatura janë “Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë” (2004), “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: fletë nga ditari i një ambasadori” (2007) dhe “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës” (2021).

“Ta duash Shqipërinë si Shaban Murati!

Këtë mëngjes të hidhur u nis për shtegtimin e fundit diplomati, publicisti dhe njeriu i rrallë, Shaban Murati.

Sa e deshi ai Shqipërinë, e ka të gdhedur në veprat e tij të shumta dhe të rralla të lloji të tyre, të cilat janë dhe do të mbeten referenca të forta të debateve mbi identitetin shqiptar, gjeopolitikën, marrëdhëniet ndërkombëtare, europiane é rajonale.

Është tronditëse për mua të pranoj që nuk do ta takoj më një mik kaq të vyer. Për shumë nga qëndrimet e mia publike, këshilla dhe meraku i tij ka qenë përtej së zakonshmes.

Mirënjohja për praninë e tij në rrethin e njerëzve më të dashur të jetës sime, do të jetë deri në fund të jetës sime!

I lehtë dheu, i dashur Shaban!

Ngushëllime të thella familjes, të afërmve, miqve é kolegëve, dhe të gjithë atyre që e njohë , e deshën dhe e çmuan personalitetin e tij”, shkruan shkrimtarja dhe deputetja Flutura Açka.

 


Shtuar 14.02.2025 09:29