Vranë 33-vjeçarin Ramazan Mataj, Gjykata e Apelit lë në burg dy vëllezërit Hasaj

Arjon dhe Klisman Hasaj, janë lënë në burg nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 5 janar në Shkodër, ku humbi jetën Ramazan Mataj.

Ata akuzohen për vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Matajt, i cili u ekzekutua në një atentat e 4 Janarit në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër me breshëri kallashnikovi brenda automjetit të tij, tip “Mercedes Benz”.

Arjon Hasaj, akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj, akuzohet për kryerjen e veprave penale“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Çështja në Apel është shqyrtuar mbi bazën e ankimit të paraqitur vetëm nga vëllai i vogël, i cili ka kërkuar ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë, por që nuk është pranuar nga gjykata. Vendimi është marrë nga gjyqtari Fatri Islamaj.

Kujtojmë se Arjon Hasaj, ka pranuar krimin dhe ka treguar se arsyeja pse e ka vrarë Ramazan Matajn, ka qenë për shkak të një lidhje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh dhe se ai i kishte prishur dy martesa asaj.

Sipas Hasajt, 33-vjeçari i kishte dërguar burrit të dytë të motrës së tij dhe njerëzve të tjerë në fshat edhe video intime, ku viktima shfaqej me të motrën e autorit.

Sa i përket vrasjes, 29-vjeçari ka treguar se viktimën e ka nxjerrë në pritë, pas një bisede që kanë patur në Instagram, me anë të një profili të rremë vajze.

Ndërkohë, vëllai i vogël, Klisman Hasaj ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.

Vendimi:

Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, më datë 05.01.2025, rreth orës 07:15 në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është marrë njoftim se, në fshatin Dragoç, Njësia Administrative Postribë, Shkodër, është një person i vrarë dhe gjendet në një tip Benz. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë dy vëllezërit, shtetasit me iniciale A. H dhe K. A.

Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj:

Personit nën hetim me iniciale A. H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278 të Kodit Penal.

Personit nën hetim me iniciale K. H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga nenet 80, 278 dhe 301 të Kodit Penal.

Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 32 (47), datë 10.01.2025, ka vendosur:

Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim A. H, i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” të parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal.

Caktimin ndaj personit nën hetim A. H, masën e sigurimit personal ‘arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim K. H, i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal

Caktimin ndaj personit nën hetim K. H, masën e sigurimit personal ‘arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personi nën hetim me iniciale K. H, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 03.02.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Z. Fatri Islamaj, vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 32 (47), datë 10.01.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.


Shtuar 3.02.2025 11:13