Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë ka përfunduar ceremonia mortore e Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos të cilit sot do t’i jepet lamtumira e fundit.
Besimtarë të shumtë kanë shoqëruar arkëmorti e Kryepeshkopit, ndërkohë që përfaqësues të klerit ortodoks nga brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri i kanë dhënë atij lamtumirën.
Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të lartë të shtetit, Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Elisa Spiropali e të tjerë.
Në meshën e lamtumirës i pranishëm ishte edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis i shoqëruar nga ministra të kabinetit të tij qeveritar si dhe Kryepeshkopi i Athinës.
Mesha e përshpirtje për kryepeshkopin Anastas Janalluts u mbajt nga Patriarku Bartolomeu I, kreu botëror i Kishës Ortodokse.
Kryepeshkopi ndërroi jetë më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin “Evangelismos” në Athinë.
Kryepeshkopi Anastas do të prehet në kriptën e Katedrales, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë.