Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka ndërruar jetë sot pas disa javësh shtrimi në spitalin “Evangelismos” në Athinë.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos u transferua më 3 Janar nga Tirana në spitalin “Evangelismos” në Athinë me një avion të Forcave Ajrore të Greqisë.
Kryepeshkopi 95-vjeçar, i cili kishte shfaqur simptoma të virusit, u shtrua fillimisht në një spital privat në kryeqytet më 30 Dhjetor.
Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, gjë që solli vendimin për transferimin e tij në Greqi për të marrë kujdes të specializuar mjekësor.
Transporti ajror u krye me një avion C-27 të Forcave Ajrore, ndërsa në krah të Kryepeshkopit ndodheshin një mjek dhe dy anëtarë të ekipit të personelit mjekësor fluturues të EKAV-së.
Kryepeshkopi u shtrua në spitalin “Evangelismos”, ku pak ditë më vonë gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi dhe u intubua.
Megjithatë, shëndeti i tij ishte mjaft i rënduar dhe pas disa javësh shtrimi në spital Kryepeshkopin e Shqipërisë Anastas Janullatos u nda nga jeta.
Postimi i Kishës:
Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.
Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin “Hygeia” të Tiranës.
Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist.
Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.
I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij!