Pak pasi Gjykata e Posaçme e Apelit riktheu masën e detyrimit për paraqitje dy herë në muaj në SPAK për kreun e PD-së, Sali Berisha, i cili është nën hetim për çështjen “Partizani” prej më shumë se një viti, strukturat e partisë kanë reaguar me thirrje për një protestë përpara Prokurorisë së Posaçme.
Në mesazhin e shpërndarë për anëtarët dhe strukturat e partisë në Tiranë, bëhet thirrje për mobilizim ditën e hënë, në orën 09:30, për të protestuar kundër asaj që cilësohet si një institucion në shërbim të kryeministrit Rama, i përdorur për të ndjekur politikisht kundërshtarët. Protesta synon të shprehë mbështetje për të drejtat dhe ligjin, duke theksuar mbrojtjen e kreut të PD-së, Sali Berisha.
Mesazhi i shpërndarë strukturave:
“Të dashur miq!
Ditën e Hënë, në ora 09:30, të mobilizojmë të gjithë strukturat tona për të protestuar përpara SKAP-it, si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë. Do të jemi aty në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës, që janë në anën e Kryetarit të PDSH-s Prof. Dr. Sali Berisha. Ora 09:30, përpara godinës së SKAP-it. Faleminderit!”.