Qeveria blen pronë në Belgjikë! Do të shërbejë si seli e misionit shqiptar pranë BE

Shqipëria ka marrë vendimim për blerjen një pasurie të paluatjshme në Bruksel, një ndërtesë që do të shërbejë si seli për misionin diplomatik pranë Bashkimit Europian. Ky vendim është aporvuar nga Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së sotme.

Procedurat e blerjes si dhe fondet që do t’i shkojnë kësaj ndërtese, i janë vënë në ngarkim Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme si dhe Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë BE. Fondi i parashikuar për këtë blerje nuk do të kalojë vlerën e 240 milionë lekë, para të cilat do të merren nga vetë fondi i ministrisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vijim “Ministria” dhe Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në vijim “Misioni”, realizojnë procedurën e blerjes së një pasurie të paluajtshme në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës, e cila do të shërbejë si seli e Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, me një fond limit jo më shumë se 240 000 000 (dyqind e dyzet milionë) lekë, sipas rregullave dhe procedurave, të parashikuara në këtë vendim,” thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministriave.

Vendimi i Këshllit të Ministrave:

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE PËR PËRDORIMIN E FONDIT PËR BLERJEN E NJË PASURIE TË PALUAJTSHME QË DO TË SHËRBEJË SI SELI E MISIONIT DIPLOMATIK PRANË BASHKIMIT EVROPIAN, NË BRUKSEL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 14, të nenit 11, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:

1. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vijim “Ministria” dhe Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në vijim “Misioni”, realizojnë procedurën e blerjes së një pasurie të paluajtshme në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës, e cila do të shërbejë si seli e Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, me një fond limit jo më shumë se 240 000 000 (dyqind e dyzet milionë) lekë, sipas rregullave dhe procedurave, të parashikuara në këtë vendim.

2. Kreu i Misionit identifikon pasuritë e paluajtshme, të llojit ndërtesë dhe truall, të cilat kanë hapësirën e nevojshme për ushtrimin funksional dhe në perspektivë të aktivitetit diplomatik e konsullor, një vendndodhje dhe distancë të përshtatshme nga institucionet qendrore të Bashkimit Evropian dhe garantojnë sigurinë fizike, kanë status të lirë nga çdo ngarkesë apo barrë hipotekore, si dhe nuk kanë kufizime juridike me natyrë përmbarimore dhe gjyqësore dhe propozon jo më pak se 3 (tri) oferta pranë Komisionit, sipas pikës 3, të këtij vendimi.

3. Për vlerësimin e ofertave ngrihet një Komision i Posaçëm, i kryesuar nga zëvendësministri përgjegjës për punët e jashtme, në përbërje të të cilit ka përfaqësues në nivel drejtues nga:

a) ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore;

b) Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar;

c) Avokatura e Shtetit;

ç) Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik.

4. Komisioni ka këto detyra kryesore:

a) Shqyrton ofertat e paraqitura për blerjen pasurisë së paluajtshme, të propozuara, duke vlerësuar plotësimin e kushteve të përgjithshme të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, si dhe kostot financare të ofertave të propozuara;

b) Mbikëqyr kreun e Misionit në procesin e negociatave për blerjen e pasurisë së paluajtshme dhe lidhjen e kontratës së shitblerjes.

c) Sipas nevojës, vlerëson në terren gjatë procesit të negociatave përmbushjen e kushteve të përgjithshme sipas pikës 2, të këtij vendimi;

ç) Vlerëson kushtet e projektkontratës së shitblerjes së negociuar;

d) Vendos shpalljen e ofertës fituese ose skualifikimin e ofertave, sipas rastit.

5. Në përfundim të procesit të vlerësimit të ofertave, Komisioni i paraqet ministrit një relacion përmbledhës pr procedurën e ndjekur dhe vendimmarrjen e tij.

6. Në rastin kur Komisioni ka shpallur një ofertë fituese, ministri autorizon kreun e Misionit për nënshkrimin e kontratës së shitblerjes.

7. Pranë ministrisë ngrihet një sekretariat teknik ad hoc i cili ka këto detyra:

a) Asiston Komisionin në mbarëvajtjen e aktivitetit të tij;

b) Organizon takimet e Komisionit;

c) Administron dokumentacionin përkatës tekniko-ligjor për procedurën e blerjes.

8. Pas nënshkrimit të kontratës, ministria autorizon Misionin që të kryejë pagesat për blerjen e pasurisë së paluajtshme, sipas detyrimeve kontraktore dhe për mbulimin e tarifave shoqëruese që lidhen me finalizimin e procedurës së blerjes.

9. Pas nënshkrimit të kontratës, kreu i Misionit merr të gjitha masat për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme, sipas legjislacionit të shtetit pritës.

10. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi mbulohen nga buxheti i ministrisë për vitin 2024.

11. Institucionet, sipas pikës 3, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit në Komision, brenda 5 (pes) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Avokatura e Shtetit dhe Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Shtuar 30.12.2024 22:00

Tags: ,