Behgjet Pacolli dhe Halil Kastrati bëhen bashkë, shprehin gatishmëri për t’i ofruar banim dhe mirëqenie këngëtares Parashqevi Simaku

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me humanistin Halil Kastrati dhe ish-konsullin e Kosovës në Kanada, Donat Syla, për të diskutuar gjendjen e rëndë të këngëtares së njohur shqiptare, Parashqevi Simaku.

Gjatë këtij takimi, Syla informoi në detaje Pacollin dhe Kastratin mbi situatën aktuale të këngëtares, e cila është në kushte të vështira.

Në një postim në rrjetet sociale, Pacolli bëri të ditur gatishmërinë e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” dhe Fondacionit “Behgjet Pacolli” për të ofruar një shtëpi për Parashqevi Simakun dhe për të mbuluar të gjitha shpenzimet e nevojshme për transferimin e saj në Kosovë ose Shqipëri. Pacolli theksoi se kjo do të përfshinte gjithashtu sigurimin e një punësimi të përshtatshëm ose një pension mujor për këngëtaren.

“Kjo është një mundësi për shoqërinë tonë të përkujdeset për personalitetet që kanë dhënë shumë për kombin”, ka shkruar Pacolli në postimin e tij.

Kjo nismë vjen pas një periudhe të gjatë në të cilën Parashqevi Simaku ka jetuar jashtë vëmendjes publike, ndërsa një video e shpërndarë së fundmi ka ngjallur kuriozitet dhe diskutime të shumta në rrjetet sociale për gjendjen e saj shëndetësore dhe personale. Parashqevi Simaku, e njohur për kontributin e saj të çmuar në muzikën shqiptare, ka kaluar një periudhë të vështirë pas largimit nga vendlindja dhe jetesës në SHBA, ku ka punuar si këngëtare në restorante shqiptare.

Gjatë viteve, këngëtarja ka përjetuar disa vështirësi, duke përfshirë ndarjen nga bashkëshorti dhe humbjen e nënës, një ngjarje që e ka lënë me një hidhërim të thellë. Sidoqoftë, me këtë hap të Fondacionit dhe Shoqatës, Parashqevi Simaku ka një mundësi të re për një mbështetje të qëndrueshme, që mund të lehtësojë jetën e saj dhe të sigurojë një të ardhme më të sigurt.