Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me gazetarët, ka njoftuar se më datë 23 dhjetor forca që ai drejton dhe opozita shqiptare do të zhvillojnë protestën e radhës.
Ndërkaq, teksa iu referuar dhe një herë tjetër rezolutës së IDU-së, Berisha u shpreh se partitë më të fuqishme të botës rrëzuan piramidën gjigante të mashtrimit të Edi Ramës.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS
Sot jam këtu para jush për disa çështje, por do filloj së pari me rezolutën e fundit të miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Demokracinë, rezolutë e Uashingtonit
Bashkimi Ndërkombëtar për Demokracinë është një organizatë që përbëhet nga 84 parti të 65 vendeve të botës dhe që ka për lokomotivë Partinë Republikane të SHBA.
Në punimet e Forumit të Uashingtonit, kanë marrë fjalën në seanca të kësaj konference bashkëpunëtorë më të afërt të presidentit Donald Trump, si këshilltari për Sigurinë Kombëtare Waltz, bashkëkryetari i fushatës më të suksesshme në histori të fitores së Donald Trump, Chris LaCivita dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të presidentit.
Në punimet e kësaj konference është miratuar me unanimitet të plotë rezoluta e Bashkimit Ndërkombëtar për Demokracinë për Shqipërinë, në të cilën narkoshteti i Edi Ramës zhvishet nga e gjitha propaganda mashtruese, apo po të përdorim një term tjetër, piramida gjigante e mashtrimit të Edi Ramës shembet e tëra dhe aty del në Uashington dhe tërë botën, del me shëmtinë e tij Shqipëria, narkoshteti i Edi Ramës, një diktaturë e ngjashme me Tunizinë dhe Bjellorusinë e Lukashenkos.
Rezoluta shkruan se: duke qenë se IDU mbështet fuqishëm sundimin e ligjit dhe integritetin institucional si gurë themeli të demokracisë, në Shqipëri 12 vite qeverisjes të PS kanë përqendruar pushtetin në një person, duke reduktuar zgjedhjet në një fasadë farsë, atë që themi ne në mënyrë të përditshme.
Udhëheqësit e opozitës përballen me persekutim politik, burgosje dhe kërcënime, duke reflektuar regjime autoritare si Bjellorusia dhe Tunizia.
Duke qenë se korrupsioni i shfrenuar dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe drejtuesve të PS, të zbuluara nga autoritetet belge, janë alarmante. Kartelet e drogës shfrytëzojnë Shqipërinë për pastrim parash duke ndërlidhur shtetin me grupe kriminale. Përgjimet zbulojnë bashkëpunimin mes zyrtarëve të qeverisë dhe grupeve kriminale për të manipuluar zgjedhjet.
Duke qenë se pavarësisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR, maxhoranca socialiste nën kryeministrin Rama ka dështuar të trajtojë abuzimet elektorale dhe ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme kushtetutën për të dobësuar opozitën. Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2025, represioni politik po përshkallëzohet, duke shënuar gjykime, arrestime dhe burgosje të motivuara politikisht të liderëve të opozitës si Prof. Dr. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri, etj.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme më 27 nëntor 2024 për të anuluar arrestimin e z. Berisha, erdhi menjëherë pasi Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut drejtoi pyetjet palëve për shkeljet në rastin e tij, duke zbuluar një gjyqësor të komprometuar nga ndikimi socialist, i cili është kthyer në një mjet për të shtypur opozitën dhe për të manipuluar zgjedhjet.
Pra, ju keni këtu akuzat më të rënda që mund t’i bëhen një vendi, keni këtu akuza që faktojnë se ky vend është një diktaturë e mirëfilltë që angazhon drejtësinë për manipulimin e zgjedhjeve dhe arrestimin e opozitës.
Paralajmërimet e Komisionit të Venecias për kapjen e reformës në drejtësi në pushtet, janë materializuar nën drejtimin e Ramës. Kjo pra është për 84 parti politike më të fuqishmet në botë, drejtësia shqiptare, e kapur nga Edi Rama.
Duke kërcënuar në këtë mënyrë stabilitetin demokratik të Shqipërisë.
Kërkesat e IDU janë:
1. Dhënien fund të persekutimit politik ndaj liderëve të opozitës, dhe sigurimi i një mjedisi të lirë e të ndershëm për të gjithë aktorët politikë në mënyrë që të bëjnë fushatë pa asnjë persekutim politik.
2. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional si themele të një shoqërie demokratike.
3. Një sistem gjyqësor të paanshëm dhe të lirë nga ndërhyrjet politike.
4. Intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që veprimet të mbeten të paanshme duke mos synojnë opozitën.
5. Zgjedhje të lira dhe të ndershme që garantojnë pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet.
6. Krijimin e një qeverie kujdestare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
IDU rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjedhjet e lira dhe rolin kritik të opozitës në rivendosjen e demokracisë. IDU do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të mbështesë aspiratat demokratike dhe europiane të Shqipërisë.