Berisha: Revolucion studentor i 1990, përzuri edhe Beogradin i cili në fakt, në çdo kohë dhe rrethanë diktonte politikën e Tiranës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se Revolucion studentor i 1990, përzuri edhe Beogradin i cili në fakt, në çdo kohë dhe rrethanë diktonte politikën e Tiranës. Berisha gjatë mbledhjes me të rinjtë u shpreh se revolucioni demokratik përbën një nga arritjet më të mëdha të shqiptarëve në rrugën e lirisë. Po ashtu ai theksoi se revolucioni ishte nacionalist qytetar.

“Të dashur të rinj dhe të reja. Të dashur dhjetoriste, dhjetoristë, pasi ky epitet i merituar do të ju shoqërojë gjithë jetën për kontributin tuaj historik. Të dashur anëtar të panelit, ju përshëndes. Ne sonte nderojmë revolucionin demokratik të viteve ’90, apo Lëvizjen Studentore, e cila përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së lirisë, të kombit shqiptar. Përbën një nga arritjet më të mëdha të shqiptarëve në rrugën e lirisë. Rruga e lirisë nuk ka qenë një rrugë e sheshtë për shqiptarët, ka qenë një rrugë shumë e vështirë. Një komb që kishte përjetuar shekuj, mos më shumë, pushtime të huaja. Një komb që erdhi në agun e shekullit të kaluar, më shumë për tu copëtuar, me fjalë të tjera për tu zhdukur.

Një komb që Lufta e Dytë Botërore, ishte më i pari në Europë që u pushtua dhe pushtimi i tij kaloi pa u regjistruar. Përveç medieve, asnjë kancelari pothuajse nuk tha një gjysëm fjale publikisht, dhe që një komb që ditën e çlirimit, shqiptarët luftuar kundër pushtuesve, arritën të rreshtohen në anën e aleatëve, ndonëse lufta mori aspekte të tmerrshme të luftës civile, por prap, ditën e largimit të pushtuesit të huaj, në Tiranë do të vendosej një pushtues tjetër, më i pamëshirë, më barbar që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë.

Do të instalohej ai që me të drejtë në pranverën e vitit 1990, pikërisht partitë që votuan dy ditë më parë në Uashington rezolutën e PD-së, në deklaratën e tyre do të shpallnin Enver Hoxhën, Hitleri shqiptar i pas luftës së Dytë botërore. Pra në këtë udhëtim të vështirë të kombit, revolucioni demokratik i Dhjetorit ’90, apo lëvizja studentore ishte dhe do të mbetet një prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e lirisë. Ishte një ngjarje, një revolucion që jo vetëm ndau sistemet, ndau epokat, pra, sistemin totalitar nga sistemi demokratik që do të vendosej. Epokën e lirisë, me epokën e shtypjes dhe represionit.

Por përveç këtyre ky revolucion kishte një tipar tjetër, kardinal. Ishte një revolucion nacionalist qytetar, në kuptimin se, përherë të parë në historinë e vendit, një pushtet pa asnjë lidhje me armikun shekullor të shqiptarëve, Beogradin, do të vinte ose do të niste rrugën drejt pushtetit në Tiranë. Pra ky revolucion përzuri edhe Beogradin i cili në fakt, në fakt, në çdo kohë dhe rrethanë diktonte politikën e Tiranës. Pra ishte revolucion demokratik, ishte një revolucion kombëtar,” tha Berisha.


Shtuar 8.12.2024 19:33