I dehur në timon tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, arrestohet shoferi në Durrës

Një 46-vjeçar është arrestuar në qytetin e Durrësit, pasi ishte duke drejtuar automjetin e tij në gjendje të dehur.

Policia e Durrësit bën me dije se 46-vjeçari me iniciale A.O pasi është konstatuar nga efektivët e rrugore se ishte i alkoolizuar, tentoi t’i korruptonte ata me 4500 lekë të rinj për të shmangur arrestimin.

Ai u arrestua për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Policia Rrugore e Durrësit godet një tjetër rast të tentativës për mitëdhënie.

Vihet në pranga një drejtues automjeti i cili drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, për të shmangur arrestimin e tij.

Po gjatë ditës së sotme Policia Rrugore e Durrësit vuri në pranga 4 drejtues automjetesh dhe procedoi penalisht një tjetër i cili tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore.

Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore, në rrugën “Martin Camaj”, kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin A. O., 46 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur në masën 1.26 mg/l. Për të shmangur arrestimin, 46-vjeçari i ka ofruar punonjësit të Policisë, 4500 lekë të rinj.

Në vijim të veprimeve u arrestua shtetasi A. O., 46, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm të shërbime të Policisë.


Shtuar 8.12.2024 16:09