Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se liria dhe pavarësia e Kosovës do të mbrohen në mënyrë të pakompromis. Ajo foli pasi bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, sot në ditën e festës së 28 Nëntorit.
Ajo tha se 112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë është simbiozë e disa datave historike për kombin shqiptar. Ajo përmendi ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997.
E para e vendit nënvizoi se u betua sërish para varreve të familjes Jashari se do të mbrojnë çdo cep të Kosovës si dhe lirinë e pavarësinë e vendit.
“Edhe një herë për të treguar jo vetëm madhështinë dhe përjetësinë e sakrificës së Adem Jashari dhe familjes Jashari, por për t’u betuar para varreve të tyre prej vendit ku ata prehen përjetësisht që do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis çdo cep të republikës sonë. Do ta mbrojmë në mënyrë të pakompromis lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Njëkohësisht do të bëjmë çmos që shqiptarët kudo që jetojnë ata të kenë të drejtat e garantuara”, tha ajo.