Qytetari e sulmoi me vezë dhe kos, Beleri: Ja çfarë më thanë kolegët eurodeputetë

Eurodeputeti Fredi Beleri ishte këtë të enjte i ftuar në “Now me Erla Mëhilin”, në Euronews Albania, ku ka komentuar incidentin e ndodhur dy ditë më parë, kur një qytetar e ka qëlluar me produkte ushqimore.

Ai tha se gjesti i qytetarit ishte një inskenim i parapërgatitur dhe i urdhëruar nga dikush tjetër, ndërsa shtoi se zgjodhi vetë të ecte para kolegëve të tij në mënyrë që mos të bëheshin pis edhe ata. Beleri tha se qartazi e gjitha ka qenë e organizuar pasi nuk kishte asnjë punonjës të gardës që të ndalonte këtë incident, sikurse do duhet të jenë sa herë vjen një delegacion i huaj

“Shikoni ndonjë polic? Para Kuvendit të Shqipërisë kur vjen ndonjë delegacion i huaj nuk ka asnjë polic të gardës, ku ishin? Ishin pushim? Po të mos kisha ikur unë pak më para, kosi dhe vezët do kishin rënë te gjithë kolegët e Parlamentit Europian, do ishin bërë pis të gjithë”,-tha eurodeputeti.

I pyetur se çfarë i thanë kolegët eurodeputet pas incidentit Beleri tha:

“Ata bën deklarata, u habitën. Diskutuam shumë gjëra këto dy tre ditë këtu dhe besoj se kjo është një shfaqje që nuk i bën nder Shqipërisë. Kjo nuk ka lidhje me shqiptarët, me aspiratat e tyre për BE. Nëse e shikoni nga fillimi në fund, ishte një episod i stisur”,-tha Beleri.


Shtuar 31.10.2024 21:48