Rritja e pagave në FA/ Ja kategoritë që përfitojnë

Disa kategori në Forcat e Armatosura, përfitojnë deri në 70 mijë lekë rritje shtesë mbi pagë. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u shpreh se Forcat e Armatosura po vlerësojnë më shumë se kurrë profesionistët në uniformë, duke sjellë në vëmendje rritjen e pagave për Forcat e Armatosura.

Vengu tha se “ushtarakë të mirëpaguar, mirëstërvitur e mirëpajisur është kryeprioritet i punës së përditshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura”.

“Efektivët e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes e Informacionit dhe ata të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes përfitojnë rritje të konsiderueshme në pagesën shtesë për kushte të veçanta pune e shërbimi”, theksoi ministri.

Së fundmi, qeveria miratoi rritjen e shtesës mbi pagë për disa kategori të punonjësve të Mbrojtjes.

Konkretisht, shtesa për kushte të veçanta pune për FA të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes shkon nga 13 mijë në 20 mijë lekë.

Ndërsa për Agjencinë e Sistemeve të Ndërlidhjes e Informacionit shtesa shkon nga 35 mijë në 40 mijë lekë.

Nga ana tjetër, efektivët e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike përfitojnë një shtesë që shkon nga 50 mijë në 70 mijë lekë.


Shtuar 12.10.2024 10:17

Tags: , ,