Macron pas të shtënave pranë Parisit: “Një pikë kthese për Francën, sulm terrorist me motive raciste

Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi me armë në periferi të Parisit. Presidenti francez Emmanuel Macron e ka cilësuar ngjarjen si një “sulm terrorist racist”.

I dyshuari për autorësinë e sulmit është ndaluar, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të çështjes.

Të lidhura

None found

Sipas raportimeve të The Guardian, të shtënat nisën të premten në Trappes dhe më pas u zhvendosën në La Verrière, në perëndim të Parisit. Brenda afërsisht 15 minutash, i dyshuari mendohet se ka qëlluar në disa lokacione të ndryshme.

Mes personave të plagosur ndodhet edhe një vajzë 12-vjeçare, ndërsa tre prej të lënduarve raportohet se janë në gjendje të rëndë.

Pas sulmit, Macron vizitoi Trappesin dhe e përshkroi ngjarjen si një “pikë kthese” për Republikën franceze, duke e cilësuar atë terrorist dhe të motivuar nga racizmi.

Kryebashkiaku i Trappes, Ali Rabeh, deklaroi se i dyshuari udhëtonte me një automjet “Renault Clio” në ngjyrë gri dhe qëllonte ndaj njerëzve që i dilnin përpara.

Incidentet me armë u shënuan në disa vende, përfshirë pranë një pike karburanti, një qendre mjekësore dhe një hapësire lojërash për fëmijë.

Hetuesit francezë po punojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes dhe motivin e sulmit.


Shtuar më 24.10.2026 01:06