Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në Durrës

Paraditen e sotme, Partia Socialiste mbledh Asamblenë Kombëtare, e cila pritet të zgjedhë edhe organet drejtuese të kësaj Partie.

Mbledhja do të zhvillohet në Durrës dhe do të nisë në orën 11:00. I pari që do të flasë, është Kryeministri Edi Rama, ku të japë disa mesazhe lidhur me objektivat që kjo forcë politike synon të arrijë, ndërsa pas disa muajsh vendi shkon në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Asambleja Kombëtare e PS ka 350 anëtarë, të cilët do të votojnë për anëtarët e Kryesisë, por edhe piramidën drejtuese të kësaj partie.

Një nga pikat e paralajmëruara, ka të bëjë me përcaktimin e drejtuesve politikë të PS-së në Qarqe, të cilët do të organizojnë dhe drejtojnë punën sa i takon fushatës zgjedhore në qarkun që do të caktohen.

Po ashtu, në këtë mbledhje Asambleje theksi pritet të vihet në ri-energjizimin e PS-së, projekti që pritet të kthehet në kryefjalën e socialistëve, ndoshta duke zëvendësuar atë të Rilindjes.

Në Kongresin e socialistëve, Kryeministri ka vënë theksin pikërisht te ri-energjizimi, madje nuk nguroi që të shprehte hapur mbështetjen e tij, ndaj të rinjve.

Kryeministri Edi Rama, në disa deklarata publike e ka vënë theksin në ndërmarrjen e disa reformave thelbësore, që do të mundësojnë anëtarësimin e vendit në BE në 2030.

Gjithashtu, është ndalur gjatë në arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Lidhur me mbledhjen e Asamblesë së PS, janë paralajmëruar në media disa skenarë, përfshi këtu edhe paraqitjen e një projekti të ri nga Kryeministri Edi Rama, pikërisht në kuadrin e ri-energjizimit.

Janë paralajmëruar skenarë nga ai i ndryshimeve në përbërjen e drejtuesve politikë në qarqe dhe deri në nivelet qeverisëse.

Në fillim të shtatorit, Edi Rama mblodhi kabinetin qeveritar, në një nga ato proceset që konsiderohen si analiza e punës dhe përcaktimi i objektivave.

Megjithatë, gjithçka do të zbardhet me fjalën që do të mbahet nga Kreu i PS-së, ndërsa ajo që dihet është se motorët e fushatës duket se do të ndizen, pa humbur kohë, ndërsa socialistët do të synojnë mandatin e 4-t rradhazi qeverisës.