Tetë vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, krerët e shtetit gjejnë një minutë kohë për lutje

Sot janë bërë 8 vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës. Shën Nënë Tereza, u shpall “E Shenjtë” më 5 shtator të vitit 2016.

Shenjtërimi i saj u bë para tetë vitesh, pasi u njohën dy mrekulli të Nënë Terezës, të rasteve të shërimit të njerëzve, pas vdekjes së saj në vitin 1997.

Nënë Tereza, e njohur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, është shqiptare e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup.

Misioni i saj jetësor, ishte t’u dilte në ndihmë njerëzve në nevojë, si njerëz të varfër, të sëmurë, të vetmuar, të pastrehë etj, i cili mision e bëri të pavdekshme në mendjet dhe zemrat e njerëzve në mbarë botën.

Shënjterimin e saj e kanë kujtuar edhe krerët e shtetit shqiptar.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, përmes rrjeteve sociale thekson se mësimet e Nënë Terezës, mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin

“Sot kremtojmë ditën kushtuar bijës së shenjtë shqiptare, Nënë Terezës, shembull i fuqisë së shpirtit dhe besimit, me një jetë të kaluar në dedikim e shërbim ndaj të vuajturve.

Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin”, shprehet Presidenti Begaj.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama, ka zgjedhur të urojë shqiptarët për një ditë të mbarë me një lutje të Nënë Terezës.

“Gjej një minutë për të menduar, gjej një minutë për t’u lutur, gjej një minutë për të qeshur”, thuhet në citatin e Shenjtores të përzgjedhur nga kryeministri Rama.


Shtuar 5.09.2024 08:30