Sot mbyllëm negociatat me Kurum-in/ Gledian Llatja: Askush nga punonjësit nuk do të rrijë pa pagesë

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka njoftuar se është arritur një “marrëveshje” me kompaninë “Kurum”, që asnjë nga punëtorët të mos largohet nga puna.

Në fjalën e tij për mediat, Llatja u shpreh se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë, por se sot është arritur në konkluzionin për punonjësit.

Ai shtoi gjithashtu, se kjo është një situatë periodike, që krijohet në lidhje me ciklet e çelikut, ndërsa shtoi se edhe ata punonjës të cilët do të qendrojnë në shtëpi, do paguhen sipas kontratave kolektive, por se askush nuk do të paguhet nën 35 mijë lekë bruto.

Është një proces që ka ndodhur disa vite në Kurum, edhe vjet ka qenë e njëjta situatë. Prodhimi është mbyllur por punëtorët nuk janë larguar nga puna. I kemi kërkuar më shumë shpjegime kompanisë, gjatë këtyre ditëve, kemi pasur takime të vazhdueshme me personelin. Edhe dje kemi patur takime. Kemi pritur një vendim të bordit drejtues të kompanisë. Sot patëm një negociatë të fundit.

Arritëm në konkluzionin që në bashkëpunim edhe me sindikatën asnjë punëtor të mos largohet nga puna. Për petëzimin, kompania do angazhohet maksimalisht për të mbyllur procesin e investimit.

Çeliku do jetë në punë, do merren dietat ushqimore për 22 ditë në muaj. Kush do të rrijë në shtëpi kemi arritur në marrëveshje që do paguhen sipas kontratave kolektive, askush nuk do të paguhet nën 35 mijë lekë bruto. Kam pasur kontakte me punëtorët. Kanë qenë të shumta shqetësimet e tyre. Punëtorët kanë vite në Kurum, kanë pasur shqetësime për punësimin e tyre”, tha ai.