Skandali i kërcënimit të Bebe Rexhës në Aeroport, kompania: Po hetojmë çështjen

Ditë më parë, një skandal ndodhi në Aeroportin e Mynihut, ku këngëtarja shqiptare Bebe Rexha u kërcënua nga një anëtar i sigurimit të aeroplanit, vetëm pse ajo iu drejtua me pyetje në gjuhën shqipe.

Siç tregoi vet artistja në një video të publikuar në Instagram, ajo i ishte afruar sigurimit duke i folur në gjuhën e saj amtare (pasi kishte menduar se sigurimi ishte shqiptar), dhe me të dëgjuar atë të flasë në shqip, ai e ka kërcënuar dhe më pas ka dashur ta largojë nga fluturimi.

Lidhur me këtë ngjarje, Telegrafi ka kontaktuar kompaninë gjermane të fluturimeve, ‘Lufthansa’ me të cilën Bebe Rexha po fluturonte atë ditë, për të kërkuar sqarime. Përfaqësuesit e kompanisë kanë deklaruar:

Ne kontaktuam drejtpërdrejt Bebe Rexhën të shtunën për të kuptuar situatën dhe jemi duke kryer një hetim të brendshëm mbi çështjen. Si një linjë ajrore ndërkombëtare, ne lidhim njerëzit dhe vendet në mbarë globin. Mysafirët dhe punonjësit tanë vijnë nga e gjithë bota. Diversiteti dhe mundësitë e barabarta janë vlera thelbësore për kompaninë dhe kulturën tonë korporative. Ne nuk tolerojmë asnjë lloj sjelljeje diskriminuese”.

‘Lufthansa’ ka sqaruar se këngëtarja ka hipur në fluturim normalisht dhe në kohë, duke arritur të kthehet në shtëpi.

Ekziston gjithmonë një kontroll paraprak sigurie për të gjithë pasagjerët që nisen për në ShBA dhe Kanada në Aeroportin e Mynihut, të kryer nga një kompani sigurie para se pasagjerët të mund të hyjnë në zonën e portës. Bebe Rexha duket se u mërzit me njërin nga këta punonjës të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e ‘Lufthansa’ për Telegrafin.

Bebe Rexha në videon e publikuar në InstaStory të shtunën, shihej duke qarë dhe duke treguar momentet e tensionuara në aeroport. Ajo ka akuzuar kompaninë për një akt diskriminimi dhe urrejtjeje ndaj saj për shkak të identitetit të saj shqiptar.


Shtuar 20.08.2024 08:15