Ikin vendasit vijnë turistët low cost, ulet me 20% konsumi në restorante

Ndryshe nga sa pritej që për muajin gusht, konsumi të niste rritjen në bare dhe restorante, krahasuar me muajt qershor-korrik 2024, situata paraqitet e vështirë për këto struktura.

Në pikun e sezonit turistik, në mes të muajt gusht, baret dhe restorantet raportojnë rënie konsumi krahasuar me vjet.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, tha për Monitor se krahasuar me vitin e kaluar, konsumi në bare dhe restorante është ulur mesatarisht 20%.

Arsyet kryesore të reduktimit të konsumit, sipas tij, mbeten largimi i vendasve jashtë Shqipërisë në sezonin turistik dhe ardhja në vend e turistëve “low cost”.

“Rënia e konsumit në bare dhe restorante është e përgjithshme në gjithë zonat turistike. Kjo për shkak të shpopullimit të shpejtë dhe shtimit të linjave ajrore low cost që nuk mund të sjellin turistë të kategorisë A”, pohon ai.

Teksa ka një rënie të konsumit në bare dhe restorante, po t’u referohemi pijeve alkoolike dhe verërave, shitjet më të larta të prodhimit vendas janë të përqendruar në segmentin e supermarkteve, sesa në HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering).

Por pavarësisht se po shitet më tepër në supermarkete, prodhuesit vendas të pijeve alkoolike dhe verës pohojnë se krahasuar me vjet kërkesa është me rënie.

Denis Zhilla, drejtori i shitjeve të një prej kantinave më të mëdha të pijeve në vend “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha për Monitor se krahasuar me vjet, shitjet kanë rënë 10%.

“Sezoni turistike nuk është si vitin e kaluar. Kjo do të thotë ka rënie shitjesh 10% në raport me vjet”, nënvizon ai. Zhilla pohon se nga totali i shitjeve 70% e tyre është në segmentin e marketeve dhe 30% e pijeve dhe verës shitet në segmentin HoReCa.

Përgjatë sezonit turistik të vitit të kaluar shitjet e kantinës “Skënderbeu” ishin 30% më të larta se viti 2022, nga rritja e turistëve.

Rënie është shënuar edhe te importet e grupit “Pijet, alkoolet dhe uthullat”. Sipas të dhënave të INSTAT, për muajt janar-qershor 2024 u importuan 86,4 mln litra pije alkoolike dhe uthulla. Krahasuar me vjet importet ranë 1%.

Sivjet sipas drejtorit të shitjeve Denis Zhilla te rënia e konsumit të prodhimit vendas, ka ndikuar rritja e çmimeve në të gjithë sektorët e ekonomisë përgjatë sezonit turistik.

Në zonat bregdetare të jugut këtë sezon turistik përveç shtrenjtimit të çmimeve te strukturat akomoduese (përfshirë hotelet, apartamentet dhe vilat) deri në 30% krahasuar me vjet, rritje deri 15% të çmimeve ka pasur edhe në bare dhe restorante. Shtrenjtimi i çmimeve ndikoi te konsumi, duke e ulur atë.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahja thotë se shtrenjtimi i çmimeve u ndikua nga një sërë faktorësh, si: nga rënia e euros, rritja e pagave të stafit mbi 40% krahasuar me vjet, nga rritja e shpenzimeve deri 30% e qirave për akomodimin e kamerierëve apo kuzhinierëve të punësuar si sezonal, si dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para deri 30%.

Edhe vjet në bare dhe restorante çmimet u rritën deri 17%, ndërsa konsumi në muajt e verës u shtua 30% krahasuar me 2022.

Jahja parashikon se kjo situatë do të sjellë falimentimin dhe mbylljen e një sërë strukturave të bareve dhe restoranteve më vend.

Në muajt e verës 2023, konsumi në bare dhe restorante u rrit 20% krahasuar me 2022 nga fluksi i lartë i turistëve sipas Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve. Tendenca rënëse e konsumit u rikthye pas përfundimit të sezonit turistik.

Ndër faktorët e brendshëm që ndikuan vjet të rënia e konsumit pas largimit të turistëve ishin pasiguria e konsumatori për shpenzime për shkak të vështirësive ekonomike, si dhe “frika” për t’u ekspozuar në restorante të individëve që zotërojnë para të pista, nga hetimet e nisura nga SPAK./Monitor


Shtuar 14.08.2024 09:06