Kur flamuri peshon rëndë: Beteja e vetmuar e Luiza Gegës në Lojërat Olimpike

Luiza Gega nuk mundi të kualifikohej në finalen e atletikës në Lojërat Olimpike. Ajo u rendit e 9 në baderinë e saj kualifikuese, duke qenë larg pritshmërive, pasi në finalen e 3000 metrave me pengesa kualifikoheshin 5 atletet e renditura të para.

Ish-kampionia e Evropës e cila i ka bërë jehonë Shqipërisë në mbarë botën me sukseset e saj, e ndjerë në faj që këtë herë ishte shumë larg rekordit personal, u kërkoi falje bashkëkombësve të saj që nuk mundi të jepte maksimumin, ndërsa e quajti këtë garë një dështim të karrierës së saj.
Edhe pse sakrifikoi për të dhënë më të mirën nga vetja, në fakt nuk ishte faji i Gegës që këtë garë në Lojërat Olimpike ta mbyllte pa medalje, pasi gjatë muajit prill ajo ka patur probleme dhe nuk ka qenë në gjendjen më të mirë fizike.

Gega ja drejtoi gishtin vetes për rezultatin zhgënjyes, por në fakt të gjithë e dimë se kush është fajtori. Shqipëria nuk është toka e premtuar për shumë sportistë në vendin tonë, megjithatë Gega e shikon të ardhmen në ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, pavarësisht se i duhet të përballet me mungesë të kushteve dhe mbështetjes nga institucionet.

Gega po bën sakrificë për të na përfaqësuar denjësisht në gara me emër. Ajo nuk duhet të ndjehet kokëulur, pasi dështimin mbi “shpatulla” duhet ta mbajnë përgjegjësit dhe institucionet që nuk i kushtuan rëndësi kushteve në të cilat ajo është dashur të stërvitet për garën e madhe.

Pavarësisht neglizhencës së institucioneve përgjegjëse ajo ka mundur të sigurojë një profil të lartë në atletikë dhe ka ndërtuar një karrierë cilësore, me shumë medalje e çmime.

I jemi falënderues Gegës e cila edhe pse për kaq vite i është dashur të përgatitet në kushte skandaloze, në mes të mungesës së kulturës dhe stimujve financiarë të institucioneve, ja ka dalë dhe na ka përfaqësuar denjësisht në shumë gara ndërkombëtare me emër.

Nisur nga kjo, Federata e Atletikës dhe Ministria e Sportit duhet të reflektojnë urgjentisht që kampionia jonë të mos i bashkohet eksodit të sportistëve.


Shtuar 4.08.2024 23:50