Liverpooli nuk është i gatshëm ta sakrifikojë talentin e tyre të madh për transferimin e Anthony Gordon

Liverpool përballet me një periudhë tranzicioni pas largimit të Jurgen Klopp dhe me ardhjen e Arne Slot si pasardhës i gjermanit në Anfield.

Slot ka për detyrë për ta ruajtur përsosmërinë e ekipit dhe synon që të afrojë futbollistë cilësorë për të qenë një skuadër konkurruese si në Angli ashtu edhe në Evropë.

Një nga objektivat kryesorë për ta transferuar në afatin kalimtar veror të Liverpoolit është Anthony Gordon, megjithatë për të arritur te anglezi The Reds po hasin në vështirësi.

Newcastle United ishte i gatshëm të konsideronte shitjen e Gordon, duke kërkuar të riun Jarrel Quansah si pjesë të marrëveshjes.

Megjithatë, interesi i Liverpoolit është zbehur nga një ngurrim për të hequr dorë kaq lehtë nga një nga perspektivat e tyre më të mëdha siç është Quansah.

The Reds nuk janë të gatshëm për ta lënë të lirë të largohet Quansah dhe kërkojnë nga Newcastle që të arrihet një marrëveshje vetëm me para për Gordon.

Reprezentuesi anglez ka pasur një sezon fantastik me 12 gola dhe 10 asistime dhe është i etur për të bërë një hap para në karrierë. /Telegrafi/


Shtuar 1.07.2024 15:55