Dënohet me dy vite burg nga GJKKO avokati Arben Lena

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka shpallur fajtor ish-kryetarin e dhomës së Avokatisë, Arben Lena.

Sipas njoftimit bëhet me dije se Lena është shpallur fajtor për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i plotë:

1. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datën 10.05.2024, Nr. 79 Regj.Themeltar, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve: Arben Lena, Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Dajana Kodra (Ninga), Blerand Kozici, Dritan Tabaku, Artiana Kozici.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Erjon Bani, mbështetur në nenet 39, 59, 245/1 parag. 2 dhe 4 dhe 300 të K.Penal, nenet 190, 403 – 406, 393 dhe 485 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 41, datë 27.06.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Lena, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 e 25 i K.Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

2. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Arben Lena me 2 (dy) vite burgim.

3. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Arben Lena do të fillojë nga dita që ndaj tij është zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dt. 27.01.2024 dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.

4. Në aplikim të nenit 39 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar profesionin për të pandehurin Arben Lena për një periudhë kohore prej 3 (tre) vjetësh.


Shtuar 27.06.2024 17:08

Tags: