Këtë të enjte, koordinatori i rajonit të Tiranës në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, ka dalë me një deklaratë lidhur me skemën e mashtrimit të krijuar nga drejtoresha e shkollës Qemal Stafa.
Siç bën me dije Balliu, drejtoresha Klotilda Jaupi, kishte krijuar skemën “Lets’s Talk Together about US24”, ku premtonte viza amerikane false kundrejt parave.
Mes të tjerash, Balliu bën një paralelizëm me skandalin e Onkologjikut, duke thënë se rilindja mori mësuesit dhe mjekët dhe i futi në ‘tregun e zi të vdekjes’.
Gjithashtu, Balliu thekson se; PD dënon aktin e mashtrimit dhe korruptimit, si dhe fton qytetarët të jenë pjesë e protestës së 11 korrikut.
Deklarata e plotë:
“Disa ditë më parë Ambasada e SHBA denoncoi një mashtrim të shëmtuar të quajtur ‘Lets’s Talk Together about US24’, një platformë e rrejshme që ofronte viza studimore në SHBA.
Kjo skemë manipulimi dhe hajdutërie drejtohej nga e dërguara e Partisë Socialiste si drejtoreshë në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, Klotilda Jaupi. Si drejtoreshë patronazhiste ajo është lidhje e afërt e deputetes socialiste Ermonela Felaj.
Pjesë e këtij mashtrimi ishte edhe mësuesja e Anglishtes në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, V. Lamaj. Kjo e fundit ka bërë një deklaratë publike ku thekson qe ka qenë pjesë e platformës, por përgjegjësia nuk është e mësuesve, pasi ky program është vendosur në mënyre kolegjiale nga institucionet përkatëse. Kjo nënkupton se leja për programin apo mashtrimin është dhënë nga ministria e Arsimit.
Siç u dëshmua me skandalin e Onkologjikut, edhe në rastin e mashtrimit të gjimnazistëve me gjoja viza studentore në Amerikë, janë krerët e sistemit, jo bishtat, që i mundësojnë skema të tilla.
Ky rast fakton jo vetëm degradimin e shtetit që ka ngritur Edi Rama, por se si ky sistem është ngritur për të vrarë edhe shtyllat mbajtëse të një kombi: arsimin dhe shëndetësinë. Rilindja i mori mësuesit dhe mjekët dhe i futi, ashtu si zyrtarët e saj, në ‘tregun e zi të vdekjes’.
Kështu ndodh kur kryeministri vetë blen shefin e kundërzbulimit të FBI, kur merr në punë ish-shefin e shërbimit sekret rumun, kur takon në zyrë ‘komisarin financiar’ të Sinaloas, kur e mbush parlamentin dhe bashkitë me sojsorollopin e basifondeve të shoqërisë.
Rasti i gjimnazit emër mirë ‘Qemal Stafa’ dëshmon edhe një hipokrizi të Rilindjes. Rama, ministrat, drejtorët dhe patronazhistët e qeverisë, stërbetohen për dashurinë për Amerikën, por janë gati ta shesin për pesë aspra.
Paturpësia dhe guximi për të luajtur edhe me logon e qeverisë amerikane, duke e korruptuar simbolikën e saj haptazi, dëshmon se të majtët e urrejnë Amerikën me pasionin e atyre që e kanë urryer për 45 vite kur i shërbenin komunizmit.
Partia Demokratike e dënon aktin e shëmtuar të korruptimit dhe mashtrimit të të rinjve shqiptarë, si edhe përdorimin për këto qëllime të simboleve të aleatit tonë strategjik, dhe u bën thirrje organeve përgjegjëse të hetojnë deri ne fund dhe deri në majë këtë mashtrim te turpshëm.
Për qytetarët që nuk i pranojnë këto mashtrime, që i përbuzin këta hajdutë, le të bashkohemi në betejë kundër së keqes, në protestën kombëtare, më 11 korrik ora 20:00“, u shpreh ai.