Aksioni kundër trafikut të drogës në Tiranë, policia jep detaje

Uniformat blu në Tiranë, kanë dhënë detaje në lidhje me aksionin kundër trafikut të drogës në kryeqytet.

Në kuadër të operacionit të koduar “Collaboration”, u arrestuan tre persona të moshave 35, 23 dhe 43-vjeç, si dhe janë sekuestruar 1 kilogramë e 130 gramë lëndë të dyshuar kokainë dhe një automjet.

Sakaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 3”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: 35-vjeç, 23-vjeç, dhe 43-vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit P. Sh., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Gjatë ndërhyrjes, shtetasi 43 vjeç nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.

Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.


Shtuar 26.06.2024 08:54