Ronaldo komenton rekordin në Euro 2020: I jam mirënjohës ekipit

Cristiano Ronaldo është shprehur i lumtur që e ka ndihmuar Portugalinë ta nisë Kampionatin Evropian 2020 me fitore, duke e mundur 3:0 Hungarinë të martën në mbrëmje.

Sulmuesi i Juventusit i shënoi dy prej tri golave të Portugalisë, e cila e nisi furishëm turneun e verës në grupin e vdekjes, ku Franca fitoi po ashtu, pasi e mundi 1:0 Gjermaninë.

Ronaldo u zgjodh lojtari i ndeshjes dhe tha pas saj se ishte fitore e rëndësishme për kombëtaren e tij.

“Ishte shumë e rëndësishme ta nisnim kështu. Tani duhet të vazhdojmë. Ne duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe ta fitojmë atë”, tha Ronaldo.

36-vjeçari i theu dy rekorde me paraqitjen dhe golat e tij kundër Hungarisë. Ai u bë lojtari i vetëm që merr pjesë në pesë Euro të ndryshme si dhe e thye rekordin për golashënuesin më të mirë në histori të Euros, me 11 gola, duk e lënë prapa Michel Planitin me nëntë.

“I jam mirënjohës ekipit që më ndihmoi të shënojë dy herë dhe të shpallem lojtari i ndeshjes”, shtoi ai.


Shtuar 16.06.2021 10:16