Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shprehet mjaft entuziast në prag të nisjes së Euro 2024. Kur na ndan vetëm një ditë nga nisja e këtij kompeticioni të bukur sportiv, Duka është shprehur se ka nisur të ndjejë ethet e para.
Në një lidhje direkte me Klan News, Presidenti i FSHF-së dhe njëkohësisht zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armando Duka tregoi se Kombëtarja Shqiptare mbërriti e para në Gjermani ndaj dhe ai uron që kuqezinjtë të kthehen të fundit.
Armand Duka: “Në fakt deri dje nuk kam pasur shumë emocione, por tani kanë filluar të më hyjnë ethet. Nuk është se mendoj…. Realisht me intereson Europiani, por nuk është se emocionet i kam për Europianin dhe për ndeshjet hapëse, por emocionet e mia janë për fillimin e ekipit tonë kombëtar, për ndeshjen e parë kundër Italisë. Ka më shumë përgjegjësi se sa në 2016.
Shumë i bukur ka qenë 2016 me të gjitha këndvështrimet. Me mbështetje nga tifozët, por më duket se tashmë në 2024 interesi i të gjithë shqiptarëve është më i madh edhe kjo më bën që ta ndjej më shumë përgjegjësinë, emocionin e këtij kompeticioni. Kjo të bën që të jesh me më shumë emocion. Për mendimin tim ky është ndryshimi.”
Ndërkohë sa i përket gjendjes së ekipit të Kombëtares, Presidenti Duka shprehet se gjendja e lojtarëve është shumë e mirë, si në aspektin fizik dhe shpirtëror.
Armand Duka: “Gjendja fatmirësisht është shumë e mirë. Nuk kemi asnjë futbollist me dyshime për të qenë në ndeshjen e parë kundër Italisë. Gjendja shpirtërore është shumë e mirë. Grupi është i bashkuar. Atmosfera duket pozitive. Pritja në Dortmund ka qenë fantastike. Është e vërtetë që ne kemi ardhur të parët në Gjermani, por uroj që të kemi pasur këmbën e mbarë që Europiani të shkojë sa më mirë, por uroj të rrimë sa më gjatë. Pse jo edhe të fundit.”