Një person është arrestuar nga policia e Francës, pasi dyshohet se kishte planifikuar një sulm terrorist në një stadium futbolli që do të përdoret gjatë Lojërave Olimpike të kësaj vere, raporton BBC.
18-vjeçari me origjinë çeçene u kap në Saint-Etienne më 22 maj, por lajmi është bërë i ditur sot. Referuar burimeve zyrtare thuhet se autoritetet gjetën prova të një sulmi të frymëzuar nga islamistët ekstremistë.
Ministri i Brendshëm francez, Gérard Darmanin vlerësoi shërbimet e inteligjencës, që sipas tij prishën planet e një sulmi, që kishin synim Lojërat Olimpike. Franca është në gatishmëri të lartë në prag të Lojërave Olimpike, të cilat fillojnë më 26 korrik.
Sipas mediave franceze, personi, emri i të cilit nuk është bërë i ditur u kap pasi kishte shkëmbyer mesazhe të koduara me terroristë të njohur. Fotografitë dhe videot e stadiumit dyshohet se janë gjetur edhe në telefonin dhe kompjuterin e tij.
Ministri Darmanin tha se i dyshuari donte të sulmonte spektatorët dhe forcat e sigurisë në stadiumin ‘Geoffroy-Guichard’, stadiumi kryesor i qytetit, ku do të zhvillohen një numër lojërash futbolli. Ai ishte “i frymëzuar nga ideologjia islamike”, shtoi ministri i Brendshëm.