Tritan Shehu shkon në spitalin e Traumës, viziton avokatin Sokol Mëngjesi

Deputeti i Rithemelimit Tritan Shehu ka shkuar në Spitalin e Traumës, aty ku gjendet i shtruar avokat Sokol Mëngjesi, pas dhunimit barbar nga katër persona në mes të Tiranës. Shehu është interesuar për gjendjen shëndetësore të avokatit i cili vazhdon të jetë i intubuar.

Pasditen e sotme, drejtori  i policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka zbardhur shkakun e dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi këtë të mërkurë. Sipas tij, shkak ka qenë mospagesa nga disa prej trashëgimtarëve të një prone, e cila me përfaqësim të Mëngjesit u fitua në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në atë të Apelit.

“Avokati ka përfaqësuar një palë e cila e ka fituar procesin gjyqësor ne shkallën e parë dhe në apel dhe nuk kanë paguar. Disa nga trashëgimtarët e kanë plotësuar kontratën që kanë pasur me avokatin, ndërsa disa nuk kanë qenë dakord”, tha Vocaj.

Avokati Mëngjesi me autorët ishte takuar edhe një muaj më parë, për të diskutuar po për të njëjtën çështje.

“Këta persona janë takuar rreth një muaj para ngjarjes dhe kanë biseduar për këtë çështje”, tha ai.

Vocaj konfirmoi se policia do marr çdo masë për sigurimin e avokatit dhe familjarëve të tij./albeu.com

 


Shtuar 29.05.2024 20:10