Vdekja e dy ukrainaseve në Tiranë, zbardhet dëshmia e shoqes së tyre: Konsumonin sasi të lartë Tramadoli

Zbardhet dëshmia e dhënë në polici e shoqes së dy shtetaseve nga Ukraina që u gjetën pajetë në rrethana të dyshimta brenda një apartamenti në kryeqytet.

Në dëshminë e saj Yeva Vorona e cila bashkëjetonte me Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova, ka thënë para Oficerëve të Policisë Gjyqësore se të enjten në darkë të treja së bashku kanë qenë në një club nate dhe kanë qëndruar aty deri rreth orës 2 të mëngjesit të së premtes.

Vorona rrëfen se shoqet e saj kanë konsumuar vetëm alkool dhe kur kanë shkuar në banesë ajo është shtrirë direkt për të fjetur.

“Dy shoqet e mia kanë qenë në dhomën tjetër të apartamentit”.

Ajo ka treguar se edhe vetë është përdoruese e një medikamenti të quajtur “Tramadol” që është për qetësim dhimbjesh. Sipas Yevas, shoqet e saj që prej ardhjes në Tiranë kishin nisur të konsumonin sasi të lartë të këtij medikamenti. Sapo është zgjuar nga gjumi ka parë dy shoqet e saj të shtrira afër njëra-tjetrës pa shenja jete.

Dëshmia: “Erdhën në Shqipëri për pushime. Të enjten në mbrëmje deri në orën 2 të mëngjesit të së premtes  kemi konsumuar alkool të treja në një club nate në Tiranë. Vajzat kanë pirë edhe qetësues “Metadol” dhe një medikament tjetër në formë tretëse që nuk e di çfarë ishte. Kemi qëndruar në dhoma të ndara, kur u zgjova i kam parë pa jetë dhe njoftova policinë”.

Ndërkohë, Policia pothuajse është e bindur se shkaqet e vdekjes nuk kanë të bëjnë me faktor të jashtëm, por ndërkohë pritet përgjigja përfundimtare e ekspertizës mjeko-ligjore për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

Pas kësaj pritet që të kërkohen familjarët e të rejave për të bërë tërheqjen e trupave që ndodhen në morg.


Shtuar 11.05.2024 13:25