Ndërtimi i “Hasan Voglit” një histori klienteliste, miku i Ervis Berberit mori 19 mln për mbikëqyrje të punimeve, të përfshirë edhe Qato, Tusha e Molla

Fondet e bashkisë së Tiranës, janë ndarë duke përdorur një skemë të mirëfilltë klienteliste, ku drejtorë bashkie, ish-drejtorë dhe miq të kryetarit, gllabërojnë fondet publike që gjenerohet nga ky institucion.

Rasti i ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë është një skemë e qartë klienteliste, që tregon se asnjë para e shpenzuar nga buxheti i bashkisë, nuk ka shkuar jashtë llogarisë klienteliste.

Prokurori i SPAK, Klodian Braho, që ka hetuar rastin në fjalë ka provuar se kompania e tre drejtorëve të bashkisë “V.A.S Konstruksion”, Mariglen Qatos, Taulant Tusha dhe Redi Molla, janë fitues të tenderit me vlerë 2 miliard e 534 milion lekë të vjetra për ndërtimin e shkollës 9 vjeçare “Hasan Vogli”, që ndodhet në zonën e “Brrakës” në Tiranë.

Ky tender është fituar së bashku me dy operatorët e tjerë privatë “Manetci” që zotërohet nga Zamir Mane dhe kompania “Ergi” që zotërohet nga Nuri Balla.

Kontrata mes tre kompanive të shpallura fituese për ndërtimin e shkollës është lidhur në 30 shtator 2020.

Ndërsa një ditë më parë, në 29 shtator 2020, Bashkia e Tiranës ka lidhur një kontratë tjetër me vlerë prej 19 milion lekë të vjetra për mbikëqyrjen e punimeve të shkollës “Hasan Vogli”, punime këto që janë kryer nga “V.A.S Konstruksion”, Mariglen Qatos, Taulant Tusha dhe Redi Molla, “Manetci” dhe kompania “Ergi”.

Edhe në tenderin e mbikëqyrjes së punimeve nuk ka pasur çudira, pasi fitues është shpallur kompania “Net Group”, ku pronar i saj është Valter Begaj, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Ervis Berberit, ish-drejtorit të Agjencisë së Rrugëve në Shqipëri.

Aktualisht Valter Begaj dhe Ervis Berberi janë arrestuar një muaj më parë nga SPAK, për një skemë tjetër korrupsioni në themelimin e kompanive dhe shpalljen e tyre fitues në tenderat publikë që kryente ARRSH-ja./ ORA NEWS

Dokumenta bashkëngjitur:

net-group-1711976785


Shtuar 1.04.2024 22:33