Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka mbajtur më datë 28 mars 2024 mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, i cili ka marrë disa vendime të rëndësishme, në veçanti për futbollistët shqiptarë.
Një nga pikat e diskutuara në rendin e ditës ishte edhe ndryshimi i rregullave që lidhen me regjistrimin e futbollistëve ekstra-komunitar për sezonin 2024-2025 në vendin fqinj.
Në lidhje me këtë çështje, presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka njoftuar se Federata Italiane e Futbollit ka vendosur që duke filluar nga sezoni i ardhshëm t’i konsiderojë lojtarët shqiptarë si vendas dhe jo të huaj.
Njoftimi i Dukës erdhi nga profili i tij privat në rrjetin social Facebook, ku tregoi se kjo do të jetë një mundësi e mirë për futbollistët shqiptarë.
Postimi pa ndërhyrje i Armand Dukës:
“Një vendim historik, një lajm i mirë për futbollistët dhe futbollin shqiptar, që vjen edhe pas diskutimeve në janar me presidentin e FIGC, Gabriele Gravina.
Komiteti Ekzekutiv në Federatën Italiane të Futbollit ka vendosur që t’i konsiderojë futbollistët shqiptarë si vendas në sezonin 2024-2025.
Kjo është një mundësi shumë e mirë për futbollistët shqiptar, që të kenë mundësinë të garojnë në një prej kampionateve më të forta në Europë.”
/Telegrafi/