Kombëtarja shqiptare e nisi vitin 2024 me humbje teksa u mposht nga Kili në miqësore. Kuqezinjtë humbën me rezultatin e thellë 0-3 që dëshmon edhe një paraqitje jo të mirë të skuadrës.
Në përfundim të sfidës, trajneri Sylvinho dha prononcimin e tij për TV Klan.
“Nuk bëmë aspak mirë në pjesën e parë. Nuk më pëlqeu fare, jemi skuadër që duhet të bëjmë luftë në 90 minuta. Pasi pësuam gol ne duhet të futeshim në lojë. Duhet një nivel akoma më i larë, 2 golat e fundit nuk duheshin pësuar. Duhet të reagonim si në Varshavë dhe Pragë.
Vetëkënaqësi nga titullarët? – “Nuk kemi në ekip titullarë fiks. Jemi skuadër që luajmë me shpirt. Kemi 28 lojtarë, secili merr minutat e veta. Njëri më pak tjetri më shumë, kjo është rruga jonë. Duhet të mësohemi me këtë nivel.”
Manaj dhe Broja? – “Koha është e pakët, nuk është e lehtë ta gjykosh një futbollistë për 45 minuta apo 20 minuta. Nuk ka një rrugë tjetër, kemi 2 ndeshje në pak ditë. Tani është Suedia, pak kohë në dispozicion, duhet të përgatitemi për Europianin.
Kili është skuadër e nivelit të lartë, agresive dhe me histori të madhe. Lojtarë me kualitet të lartë, Sanchez, Diaz, Isla, Bravo, kanë fituar 2 herë Copa America, luajnë në Botëror. Na duhet të përballemi me nivele shumë të larta gjithnjë e më shumë.”
Test negativ për lojtarët që duhet të jepnin një përgjigje? – “Jo, duhet të shohim ndeshjen. Nuk është e lehte të gjykosh në kaq pak minuta. Kemi një ndeshje të vëhstirë me Suedinë dhe pasi të rikthehemi në Tiranë do të vazhdojmë përgatitjet për Europianin”, tha trajneri.