Plotësohet objektivi kryesor i Mourinhos, Roma siguron Xhakën

Marrëveshje e kryer, ose thuajse e kryer. Granit Xhaka do të jetë blerja e parë e Romës së Jose Mourinhos. Ky operacion i udhëhequr me shumë durim nga drejtori sportive, Tiago Pinto, mund të mbyllet zyrtarisht brenda pak ditësh.

Arsenali ka refuzuar ofertën e parë zyrtare prej 15 milionë eurosh, por mësohet se palët janë afruar ndjeshëm në qëndrime. Marrëveshja do të arrihet për 18 milionë euro plus bonuset. Me lojtarin, që ka zbarkuar në Romë për t’u stërvitur me përfaqësuesen e Zvicrës në stadiumit “Tre Fontane”, marrëveshja është totale. Xhaka do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me pagë neto 2.5 milionë euro në sezon, plus shpërblimet.

Nuk ka më dyshime për kryerjen e kërij transferimi në aksin Londër-Romë dhe kjo kuptohet nga fakti që “Topçinjtë” po blejnë nga Wolverhamptoni portugezin Ruben Neves, që ka për menaxher të famshmin Jorge Mendes.

Mourinho duhet të jetë shumë i kënaqur, pasi Xhaka ishte një nga kërkesat e tij themelore për përforcimin e mesfushës. Gjithsesi, priten lëvizje të tjera në kampin verdhekuq, si në hyrje dhe dalje, në funksion të ndërtimit të një skuadre të fortë dhe konkurruese për objektiva madhorë.


Shtuar 9.06.2021 12:05