Ura e Zogut, firmoset kontrata 500 mijë euro për ta shpëtuar

Ura e Zogut, një monument kulture që prej vitesh, i klasifikuar si në rrezik serioz, është shumë pranë shpëtimit. Pas tre vitesh angazhim qytetar, protesta, peticione, reagim ndërkombëtar dhe sensibilizim është konfirmuar kompania që do të realizojë ndërhyrjen teknike për të shpëtuar Urën e Zogut, në Lumin Mat.

“Është përzgjedhur ofertuesi ekonomik dhe pritet lidhja e kontratës me ofertuesit”, citohet në përgjigjen e Ministrisë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit drejtuar organizatës “Sebastia“.

Ndërhyrja shpëtuese do të kushtojë 46 milionë lekë pa T.V.SH (rreth 500 mijë euro) dhe do të realizohet nga bashkimi i operatorëve “AD- STAR” Sh.p.k dhe “ANK” Sh.p.k, të cilët ishin edhe të vetmit ofertues që morën pjesë në tenderin e hapur.

Punimet në këtë monument kulture të kategorisë së parë do të fillojnë në momentin e pajisjes me lejen e ndërtimit, sikurse citohet edhe në kontratë.

Ministria e Kulturës e ka bërë publik projektin për ndërhyrje emergjente në Urën e Matit, një vit më parë, më 14 shkurt 2023. Projekti erdhi si bashkëpunim mes Universitetit Politeknik dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore.

“Jemi të kënaqur se punimet sipas gjasave do të fillojnë këtë verë për një ndërhyrje emergjente, por nuk na vjen mirë kur shikojmë se inertet vazhdojnë të gërryhen sot e gjithë ditën në mënyrë të paligjshme“- shprehet për Citizens, Elton Laska, nga organizata “Sebastia“.

Laska thekson se i duhet kushtuar vëmendje shkakut dhe jo pasojës, sepse këtë fat do të kenë edhe monumente të tjera nëse nuk ka ndjekje penale për individë apo kompani të cilët marrin inerte në basenin e lumit.

“Kauza e Urës së Zogut na mori plot tre vite angazhim me kërkesa, ankesa, protesta, peticione që u firmosen nga 3553 qytetarë, për të mbërritur tek një investim gjysmë milioni euro nga ana e qeverisë shqiptare për një monument, të cilin vetë qeveria e ka shpallur monument kulture të kategorisë së parë“- analizon Laska.

Elsa Sula nga organizata “Sebastia“ pohon se të reagosh për një kauzë të drejtë i shërben jo vetëm një monumenti kulture, por edhe rritjes së vetëdijes qytetare.

“Ne sot kudo që na takojnë qytetarë na pyesin “çfarë u bë me urën?”, kjo tregon se advokimi ynë i ka dhënë rezultatet e veta pozitive“- thekson ajo.

Kalvari i përpjekjeve për ringjalljen e Urës së Zogut

‘Ura e Zogut’, monument kulture që prej vitit 1999 në rrezik për t’u shembur, është shpallur një nga shtatë monumentet më të rrezikuara për vitin 2022 nga Europa Nostra.

Qeveria shqiptare publikoi në shkurt të 2023 planin për ndërhyrjen, i cili u miratua në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ndërsa në muajin prill u miratua fondi prej 57.5 milion lekësh për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut.

Sipas raportit të Europa Nostrës dhe Institutit të Bankës Evropianë për Investime, do të ketë tre faza ndërhyrje në objekt.

Ura e Zogut është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë me vendimin të Këshilli i Ministrave, nr.313 të datës 08.07.1999.


Shtuar 15.03.2024 11:53