Pak para zgjedhjeve në Rusi, sondazhi i qendrës kërkimore nxjerr fitues Putin me shumicë të votave

Sipas një sondazhi të qendrës kërkimore VCIOM të publikuar sot, Vladimir Putin, po siguron një votëbesim prej 82% përpara zgjedhjeve presidenciale të Rusisë. Në votimin, i cili përfundon të dielën, Putin po kërkon një mandat tjetër 6-vjeçar si president dhe është i preferuari i padiskutueshëm pasi komisioni zgjedhor mbylli çdo zë opozitar.

Tre kandidatët e tjerë, të cilët ose mbështesin hapur Putinin ose ndjekin vijën e Kremlinit, kanë marrë nga 5% dhe 6% secili, sipas të njëjtit sondazh.

Në pushtet për gati një çerek shekulli, Vladimir Putin pretendon se zgjedhjet janë një votim për të ardhmen e Rusisë. Ai e paraqet pushtimin e Ukrainës si një luftë kundër hegjemonisë perëndimore, e cila rezonon me një pjesë të madhe të opinionit publik rus.

Nëse Putini merr më shumë se 80%, rezultati do të jetë më i miri i tij në zgjedhjet presidenciale. Në zgjedhjet e 2018 ai mori 76.7% të votave, ndërsa pjesëmarrja ishte 67.5%.


Shtuar 11.03.2024 23:30