Klasikja e futbollit kosovar zhvillohet në Gjilan, sot luhen tre duele në Albi Mall Superligë

Albi Mall Superliga e Kosovës starton ditën e sotme me tre ndeshje që janë në program në kuadër të xhiros së 24-të.

Padyshim që vëmendja do të jetë në klasiken e futbollit kosovar, ku në Gjilan do të përballen dy rivalët e vjetër Drita dhe Prishtina.

Gjilanasit në këtë takim vijnë pas humbjes befasuese nga Fushë Kosova në kampionat dhe synojnë të rikthehen te fitoret.

Në anën tjetër Prishtina fitoi ndaj Lirisë dhe synon që të vazhdoj me triumfe edhe në Gjilan.

Kjo është përballja e tretë këtë vit e dy skuadrave ku Drita ka një fitore dhe një tjetër i ka takuar kryeqytetasve.

Duel shumë interesant pritet të zhvillohet edhe në Podujevë, ku Llapi pret Gjilanin në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’.

Llapjanët janë në ndjekje të titullit dhe kërkojnë vetëm tre pikët, ndërkohë Gjilani udhëton për të shkaktuar befasi në Podujevë.

Sfida tjetër e ditës së sotme do të zhvillohet në stadiumin ’18 qershori’ në Klinë, me Dukagjinin që pret Fushë Kosovën.

Të tre duelet e ditës së sotme në elitën e futbollit kosovar zhvillohen nga ora 13:00. /Telegrafi/


Shtuar 9.03.2024 10:43