Njoftohet se Shqipërisë iu dha zyrtarisht titulli “Vendi i Nderit” i ITB- Berlin 2025, panairit më të madh në botë të turizmit. Kryeministri Edi Rama ndau këtë lajm në rrjetet sociale, duke treguar momentin e dorëzimit të titullit te ministra e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë pjesëmarrjes në panairin e turizmit në Berlin.
“Shqipërisë i dorëzohet zyrtarisht titulli “Vendi i Nderit” i ITB – Berlin 2025, panairit më të madh në botë të turizmit, pas një pune të gjatë dhe angazhimi serioz për të shkëlqyer në prezantimin e ofertës sonë turistike në eventet e promovimit ndërkombëtar”, tha Rama.
Nga kryeqyteti gjerman, ku po zhvillohet dita e dytë e këtij panairi, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe CEO i “Messe Berlin”, Mario Tobias nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen që e bën Shqipërinë “Host Country 2025”.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nis një program promovimi njëvjeçar që përfundon marsin e ardhshëm, i cili e kthen vendin tonë në epiqendrën dhe temën e aktivitetit më të rëndësishëm botëror të turizmit dhe turoperatorëve që mbahet çdo vit në Berlin.
Kumbaro u shpreh e lumtur që organizatorët gjermanë ftuan Shqipërinë të ishte vendi i nderit për ITB Berlin, ndërsa Mario Tobias, CEO i Messe Berlin dhe Deborah Rothe, CEO e ITB Berlin vlerësuan paraqitjen e Shqipërisë në panair me një program të larmishëm.
Në edicionin e këtij viti Shqipëria merr pjesë me një koncept të ri të promovimit, me një ekip prej 26 turoperatorësh dhe 7 bashkish turistike që prezantojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” potencialet, atraksionet dhe tregun shqiptar të turizmit.
Gjatë këtij edicioni të ITB-Berlin, u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje e rëndësishme për Shqipërinë.
Ditën e djeshme, ministrja Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili firmosën marrëveshjen e organizimit të mbledhjes së 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO në Tiranë, në datat 7-9 prill.
UNWTO e renditi Shqipërinë të parën në Europë për rikuperimin e flukseve turistike gjatë vitit 2023, ndërsa gjatë dy muajve të parë të vitit 2024 vendi ynë u vizitua nga 1 milion vizitorë të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
https://www.facebook.com/watch/?v=417585620721744