Vuçiç: Perëndimi po ushtron trysni mbi Serbinë për të njohur Kosovën

Aleksandar Vuçiç hodhi akuzën ditën e sotme në një konferencë shtypi në Beograd, se perëndimi po ushtron trysni mbi Serbinë për të njohur Kosovën, për t’i vënë sanksione Rusisë dhe për të vendosur siç tha, një regjim “kukull” në vendin ballkanik.

Presidenti serb i bëri thirrje qeverisë së tij të zbatojë menjëherë rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-ut për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit në Serbi.

Në raport thuhet se zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta dhe u “dëmtuan nga retorika e ashpër, anshmëria në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Opozita ka ngulur këmbë se fitorja në Beograd iu vodh dhe i gjithë procesi zgjedhor ishte i parregullt.

Presidenti serb tha se në kuadër të trysnisë perëndimore për njohjen e Kosovës përfshihet edhe kërkesa që Serbia të heq dorë nga mbështetja për Republikën Serbe në Bosnje.

Ai tha se zhvillimet në Ukrainë nuk po rrjedhin sipas pritjeve të perëndimit dhe Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent.

“Meqë këtë e dinë në perëndim, është me rëndësi që të mbulohet kjo çështje dhe do të rritet trysnia mbi Serbinë, por jo edhe mbi (kryeministrin e Kosovës Albin) Kurtin.

Atij do t’i bëhet trysni vetëm sa të mos krijohet një situautë kur Serbia duhet të reagojë, e këtë nuk e duam as ne”, tha presidenti serb, duke theksuar se në ditët në vijim “do të detyrohemi të marrim vendime të ndryshme me të cilat do të gjejmë zgjidhje alternative për të dërguar paratë, që janë paga e pensione për njerëzit tanë në Kosovë”.

Rregulloreja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila vendos që euroja të jetë valuta e vetme e pranueshme për pagesa të gatshme në Kosovë, ka shkaktuar reagime të zemëruara nga Beogradi dhe ka nxitur shqetësime në diplomacinë perëndimore për ndikimin e saj në komunitetin serb të Kosovës. Në veçanti, disa pjesë të komunitetit serb që ende mbështeten financiarisht nga Beogradi.

Presidenti serb tha se mbi vendin e tij ushtrohet gjithnjë trysni për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, gjë që Serbia ka refuzuar ta bëjë.

Beogradi nuk e mbështeti as deklaratën e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me vdekjen e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny.

Përmes deklaratës së 16 shkurtit BE-ja fajësoi presidentin rus, Vladimir Putin, për vdekjen e kritikut të Kremlinit.

Zëdhënësi i BE-së Eric Mamer tha se harmonizimi i politikës së jashtme me atë të blloku është pjesë e procesit të anëtarësimit të atyre që aspirojnë integrimet evropiane.

“Qartë ka pasoja në rast të mosharmonizimit me qëndrimet e BE-së pasi është kërkesë themelore që një vend duhet të harmonizohet me këto qëndrime për t’u bërë vend anëtar i BE-së. E Serbia është shprehur se anëtarësimi në BE është një qëllim strategjik i saj”, tha ai.

Ndonëse formalisht synon integrimet evropiane, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën e cila mbështet pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore./VOA


Shtuar 2.03.2024 18:13